Foto: Kallxo.com

Seminari, 'ambasadori' i parë i kulturës dhe gjuhës shqipe

Në Prishtinë sot ka filluar Seminari i 37-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Dekania e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, Lindita Rugova tha se seminari mbetet forumi më gjithëpërfshirës i mësimit të gjuhës dhe kulturës së gjuhës shqipe në botë.

Rugova ka njoftuar se revistës së këtij seminari gjatë vitit të ardhshëm do t’i mundësohet botimi në platforma ndërkombëtare.

“Pas indeksimit në platformën CEOL me seli në Gjermani në korrik të këtij viti revista e seminarit tonë i ka kaluar pozitivisht dhe me sukses dhe recensionin e jashtëm të platformës EPSCO dhe gjatë vitit kalendarik 2019 do të vendoset në një nga projektet e tyre botuese, gjë që nënkupton edhe indeksim në këtë platformë”, tha Rugova.

Ndërkaq kryeministri Ramush Haradinaj e vlerësoi punën e studiuesve shqiptarë dhe të seminaristëve nga e gjithë bota për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Foto: Kallxo.com

“Ne çdoherë u jemi mirënjohës studiuesve të shqipes nga popujt e tjerë, të cilët kanë qëndruar me ne dhe janë njoftuar me shqipen e shqiptarëve. Ne jemi vlerë universale  dhe i takojmë këtij globi, pasi shqiptarët janë popull i mirë. Qeveria e vendit çdo herë duhet të jetë përkrahje për seminarin, qe shqipja dhe shqiptarët të njihen për së afërmi nga studiuesit nga e gjithë bota”, theksoi kryeministri.

Lindita Nikolla, ministre e Arsimit në Republikën e Shqipërisë, tha se në këtë seminar bëhet një punë e çmuar dhe e vyer për gjuhën dhe kulturën shqipe. Ajo njoftoi se nga viti 2018 edhe Universiteti i Bolonjës do të mundësojë programe të nivelit Bachelor dhe Master për gjuhën shqipe.

“Ju keni treguar se përmes hulumtimeve se si një popull duhet të nxjerrë në pah dhe të mbrojë burimet shtetërore: gjuhën kulturën, identitetin dhe letërsinë tonë. Na takon neve qeverive t’ju mbështesim për të mundësuar standarde më të mira”, tha ajo.

Kurse, drejtori i Seminarit  të gjuhës shqipe,  Rrahman Paçarizi, tha se ky seminar shënon 44 vjet nga themelimi dhe ka përmbushur të gjitha objektivat e tij.

Foto: Kallxo.com

“Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqipe, është ambasadori i parë  dhe më i suksesshëm i Kosovës dhe kulturës e gjuhës shqipe. Sivjet kam qene i shqetësuar për mundësinë se janë demotivuar studiuesit për pjesëmarrje, por ka ndodhur e kundërta. Kemi pasur prurje të shumta dhe kemi bërë përzgjedhje rigoroze të pjesëmarrësve”, shtoi Paçarizi duke iu uruar seminaristëve kënaqësi gjatë qëndrimit dhe mësimit të gjuhës shqipe.

Seminari Ndërkombëtare për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqipe do të zhvillojë punimet nga data 20 deri më 31 korrik të këtij viti.

Foto: Kallxo.com