Deputeti Driton Selmanaj - Foto: KALLXO.com

Selmanaj komenton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ekipin negociator

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese i cili e shpalli si anti-kushtetues një ligj që rregullon kompetencat e ekipit negociator në bisedimet me Serbinë.

Selmanaj për KALLXO.com tha se ky vendim ka qenë i pritshëm nga ana e partisë së tij.

“Është e pritshme, gjykata ka vendosur atë që ne e kemi kërkuar VV dhe LDK e kanë kontestuar komplet ligjin në tërësi kundër ekipit të ashtuquajturit ekip negociator. E mira është që në krejt ato që ne kemi pretenduar gjykata e ka konfirmuar. Ky është lajmi  i mirë për Kosovën, sepse nuk po guxojmë që ne në procese të tilla të rëndësishme të shtetit ta luajmë rolin e eksperimentuesit”, tha ai.

Sipas tij me këtë vendim ekipi negociator dhe ligji për këtë ekip do të shuhen.

“Më e mira është që ky proces bie në zero delegacioni shuhet në tërësi, ligji në tërësi ndërkohë që mandati kushtetues do të duhej të ju kthehej atyre që kanë mandat në këtë rast Qeverisë”, tha deputeti i LDK-së.

Selmanaj shtoi se pas këtij vendimi kërkojnë edhe zgjedhje të reja.

“Por duke e ditur mungesën e legjitimitetit të kësaj Qeverie atëherë ne kontestojmë këdo të cilët provojnë të negociojë me  Serbinë pa u mbajt zgjedhjet e reja, pa dal një Qeveri e plotë askush s’ka mandat kushtetues dhe legjitimitet me përfaqësua Kosovën në dialog. Zgjedhjet janë domodoshme”, tha Selmanaj.