Hilmi Kelmendi, i arrestuar nga policia e Serbisë

Selman Kelmendi: Hilmiu po Akuzohet për Rrahje të Ashkalive

Vëllai i madh i Hilmi Kelmendit, i arrestuari i dytë nga Policia e Serbisë brenda një muaji, rrëfen për KALLXO.com se përse u arrestua vëllai i tij dhe se si po trajtohet ai në burgun e Beogradit.

Selman Kelmendi thotë që vëllai i tij Hilmiu ishte pjesëtar i UÇK -së, ndërsa tregoi se nuk akuzohet për krime të luftës por për pjesëmarrje në një rrahje gjatë kohës së luftës ndaj një familjeje të komunitetit ashkali që dyshoet të ketë ndodhur në lagjen Piskotë të Gjakovës.

Arrestimi i Hilmi Kelmendit erdhi një muaj pas atij të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, i cili akuzohet se përzuri nga shtëpia e tyre në Lipjan një familje serbe.

Selman Kelmendi thotë se edhe katër persona të tjerë janë të kërkuar bashkë me vëllain e tij i cili u arrestua në territorin e Serbisë duke u kthyer nga Gjermania ku është duke punuar.

Gjatë ditës së djeshme, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës u bëri thirrje të gjithë shtetasve të Kosovës të cilët për çfarëdo arsye e zgjedhin Serbinë si vend transit gjatë muajve të ardhshëm, ta shmangin atë maksimalisht.

“Ai (Hilmiu) dyshohet vetëm për rrahje jo për diçka tjetër, jo për krime. Në aktakuzë janë edhe katër të përfshirë, por nuk kanë mundur t’i kapin, ata dyshohen për vrasje të një personi e këta një dy tre të tjerë në të cilën përfshihet vëllai im është për ketë përfshirjen në rrahje”, tha vëllai i Hilmiut.

Ai tregoi se kanë biseduar në telefon me vëllain ndërsa i është caktuar masa  e paraburgimit për 30 ditë.

“Dje ka thirrë në telefon, e ka thirrë vëllain e dytë ka folë nja 3 minuta. Ai është në qendër të paraburgimit e ia kanë caktuar masën e arrestit për 30 ditë. Sot kemi kontaktuar me përfaqësuesin e Kosovës në Serbi edhe më një avokat pasi që nesër do të merret në pyetje Hilmiu, e pasnesër do të kemi mundësinë ta shohim. Ka akuzën gjoja për krime lufte për do komshi në katundin tonë që janë ashkali, gjoja që është pjesëmarrës në një rrahje”, tha Kelmendi.

I pyetur në lidhje me arrestimin, Selman Kelmendi tha se e kanë përjetuar rëndë, por po mundohen në të gjitha mënyrat që t’i ndjekin procedurat ligjore që vëllai i tij të dalë i pafajshëm.

“Përfaqësuesi i Kosovës besoj se do të na bëjë të mundur që ta takojmë dhe ta marrim aktakuzën që të jetë e sensibizular edhe në aspektin e Qeverisë së Kosovës edhe në aspektin e avokatëve që na nevojiten për këtë rast”, shtoi Kelmendi.

Trajtimi i Hilmiut në burgun e Beogradit, sipas vëllait të tij, është korrekt ndërsa për masat që do të merren tash e tutje ai thotë familjes i duhet të konsultohen me avokatët e zgjedhur për mbrojtjen e tij.