Selimi: Thaçi dhe Haradinaj po e bllokojnë funksionalizimin e ushtrisë

Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj nën pretendimin se po e bllokojnë funksionalizimin e Ushtrisë së Kosovës.

Rexhep Selimi nga LVV tha së procesi i transformimit të FSK-së në Ushtri është bllokuar nga Presidenti, kjo pasi që sipas tij Thaçi nuk po dëshiron t’i dekretojë gjeneralët dhe stafin përgjegjës.

“Janë mbushur gjashtë muaj e gjysmë nga votimi në Kuvend për Ushtrinë e Kosovës, pesë e gjysmë nga hyrja në fuqi të tri ligjeve dhe një muaj e gjysmë nga kalimi i afatit të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit. Është dashur të arrihen këto objektiva; riorganizimi i FSK-së në ministri të Mbrojtjes, FSK dhe KFT është dashur të kalojnë në tabelën organizative të re dhe personeli të jetë vendosur në pozita të reja, objektiv kjo e parealizuar. Është dashur të behet elementi drejtues si shefi i shtabit të FSK-së, sekretarit të përgjithshëm dhe liderëve kyç, gjeneralët dhe drejtorët e drejtorive në ministrinë e Mbrojtjes”, u shpreh Selimi.

Më tutje ai deklaroi së ministria e Mbrojtjes është në kaos dhe së objektivi i tyre është mbushja me militantë partiak.

Me 14 dhjetor, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, Ligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Më 27 dhjetor Thaçi i ka dekretuar ligjet për Ushtrinë.