Selimi Rrëfen Pse Nuk iu Vunë Prangat

Një prej procedurave të zakonshme që aplikohet ndaj të ndaluarve në Polici është edhe heqja e lidhëseve të këpucëve. Kjo masë nuk është zbatuar edhe ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimit, i cili natën mes të premtes dhe të shtunës është mbajtur në stacionin policor të Podujevës, ku është dërguar pasi dyshohet për disa vepra penale të kryera gjatë seancës së 19 shkurtit në Kuvendin e Kosovës.

I pyetur rreth kësaj çështjeje, deputeti Selimi tha për KALLXO.com se kjo nuk ka ndodhur për shkak se këpucët i ka pasur pa lidhëse, apo siç i quan ai “me mekanizmin e mbylljes pa lidhëse”.

Mbajtja e tij në Polici lidhet me zhvillimet e së premtes në Kuvendin e Kosovës, ku partitë opozitare tri herë kanë hedhur gaz lotsjellës për të penguar seancën e parë plenare për këtë vit.

Për të vendosur rregull, udhëheqja e Kuvendit ka marrë vendim që të nxirren jashtë edhe me forcë deputetët e partive opozitare, disa prej të cilëve janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e disa veprave penale: përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Në mesin e atyre që duhej të nxirreshin edhe me forcë nga salla e Kuvendit ishte edhe Rexhep Selimi. Por, kjo nuk ka ndodhur. Përderisa kolegët e tij nxirreshin edhe zvarrë nga sigurimi, deputeti Selimi as nuk është prekur me dorë nga të njëjtit. Madje, ai është parë duke i incizuar me telefonin e tij skenat e largimit me forcë të deputetëve opozitarë. [interaction id=”56c9eca28f0287d70a559d5c”]

Po ashtu, ai as nuk është arrestuar. Për KALLXO.com Rexhep Selimi ka treguar se nuk ka pranuar të hyjë në veturën e Policisë. Në Stacionin e Policisë ka shkuar me veturën e tij, i shoqëruar nga Policia.

“Kam shkuar vetë në stacionin Qendër, në Prishtinë. Pastaj më kanë dërguar në Besianë. Procedurat e mbajtjes i kanë bërë policët në Besianë”, ka thënë Rexhep Selimi, duke shtuar se në stacionin policor të Podujevës gjithçka ka shkuar në rregull dhe se është mbajtur në “dhomat e mbajtjes”.

Ai ka lavdëruar sjelljen profesionale të zyrtarëve të Policisë në Podujevë, si ndaj tij ashtu edhe ndaj të ndaluarve të tjerë.

Sipas Selimit nuk ka qenë e nevojshme t’i vendosen prangat sepse nuk është parë rrezikshmëri e ikjes. “Nuk ka pasur asgjë të veçantë as negativisht as pozitivisht. Gjithçka ka ndodhur si me të tjerët. Për pranga nuk ka pasur nevojë sepse e kanë vlerësuar se nuk ka rrezikshmëri të ikjes. Por, edhe të më kishin kërkuar nuk kisha refuzu”, ka thënë ai gjatë bisedës për KALLXO.com.

Të nesërmën, Rexhep Selimi dhe kolegët e tij deputetë janë dërguar para gjykatësit. “Na është dhënë vendim që ne kemi detyrim të paraqitemi në stacionin policor”, thotë ai.

Të shtunën, Rexhep Selimit, Teuta Haxhiut, Mytaher Haskukës u është caktuar paraqitja në stacionin policor dy herë në javë gjatë 30 ditëve të ardhshme.

Këta dyshohen për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Ndërsa, deputetëve Donika Kadaj-Bujupi, Besa Baftiu, Pal Lekaj dhe Albulena Haxhiu u është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak.

http://kallxo.com/kerkese-per-mase-sigurie-ndaj-4-deputeteve/