Ilustrim

Sektori Privat Shpenzoi 580 Milionë Euro në Gjeneratorë

Sipas Odës Ekonomike të Kosovës sektori privat në Kosovë gjatë këtyre viteve ka shpenzuar afër 580 milionë euro për blerjen e gjeneratorëve për shkak të problemeve me energji elektrike.

Në njoftimin e OEK-ut thuhet se duke u bazuar në informacionet e ATK-së se në Kosovë janë aktive afër 80 mijë ndërmarrje dhe në qoftë se kostoja e një gjeneratori për prodhim të energjisë elektrike është prej 300 deri në 30 mijë euro, kjo tregon se sektori privat në Kosovë gjatë këtyre viteve ka shpenzuar më tepër se 580 milion euro për blerje duke mos kalkuluar shpenzimet e derivateve të naftës.

“Të bërit biznes në Kosovën e pas luftës ka qenë mjaft sfiduese për fat të keq shumë sfida janë duke e përcjellur edhe sot. Bazuar në hulumtimet e bëra ndër vite nga ana e Odës Ekonomike të Kosovës në 10 top barrierat e të bërit biznes ka qenë energjia elektrike dhe furnizimi me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e OEK-ut.

Përveç kostos së lartë të këtyre tarifave, mos-ndarjes së çmimit për amvisëri dhe industri, mos-ndarje së çmimit të energjisë elektrike në atë sezonal, mos-implementimi i tarifës ditë-natë, OEK-u e konsideron problem edhe maksigrafin dhe ndërprerjet e shpeshta  të energjisë elektrike.

“E kanë dëmtuar sektorin privat në Kosovë e në veçanti atë prodhues si në kualitet po ashtu edhe në kuantitet, kanë detyruar sektorin privat për kërkim të alternativave për furnizim me energji elektrike”, potencohet në njoftim.

E gjithë kjo sipas Odës Ekonomike të Kosovës është problem për bizneset vendore e në veçanti për sektorin prodhues sepse e pamundëson të jenë konkurrent me vendet e rajonit dhe më gjerë kur në start prodhimi vendor është 13 për qind më i shtrenjtë se ai që vjen nga konkurrenca.

“Sikur institucionet vendore të kishin bërë më tepër në zgjidhjen e këtij problemi dhe këto mjete të dedikuara dhe shpenzuara për blerjen e gjeneratorëve të ishin investuar në punësim, standardizim, certifikim, licencim, menaxhim të kualitetit dhe në brendim të produkteve dhe shërbimeve “Made in Kosova” me siguri realiteti ekonomik dhe social në Kosovë do të ishte shumë më i favorshëm”, theksohet në njoftimin e OEK-ut.

Ata e konsiderojnë paradoks faktin se këto dukuri negative sa i përket furnizimit me energji elektrike janë duke e përcjellur Kosovën edhe 18 vite pas luftës dhe 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë.

OEK me skepticizëm e pranon faktin se kjo është pasojë e mungesës së përgjegjësisë institucionale dhe individuale në Kosovë sidomos mungesa e sundimit të rendit dhe ligjit dhe sipas tyre këtë mungesë po e paguan qytetari i Kosovës.

“Sot penalizohet dhe gjobitet ai që nuk e paguan rrymën elektrike, por nuk penalizohet dhe gjobitet ai që e dëmton në masë të madhe qytetarin e Kosovës, komunitetin e biznesit e në veçanti sektorin prodhues në Kosovë”, përfundon njoftimi i Odës Ekonomike të Kosovës.