Inspektori i punes raporton para komisionit parlamentar

Sektori i ndërtimtarisë me vdekjeprurësi për punëtorët kosovarë

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi raportoi në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, pas rasteve të shumta të lëndimeve dhe vdekjeve të punëtorëve në vendet e punës.

Ibrahimi tha se këtë vit kanë ndodhur 18 vdekje në vendet e punës, ndërsa në 8  mujorin e këtij viti kanë bërë 6205 inspektime dhe kanë lëshuar mbi 1000 mijë vërejtje në terren.

“Jemi të pakënaqur edhe me vetëm një aksident në vendin e punës. Punëtorët nuk marrin shumë guxim të ankohen në Inspektoratin e Punës, megjithëse deri tash kemi pranuar 764 ankesa, e që janë më shumë se në vitin e kaluar”, tha ai.

Ibrahimi shtoi se inspektimet në vendet e punës janë bërë kryesisht në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Kryeinspektori theksoi se shumë aksidente në vend të punës ndodhin për shkak të pakujdesisë së punëtorëve.

“18 vdekje kanë ndodhur për më pas se një vit si pjesë e kushteve të punës, 2 raste vdekje natyrore. Në ndërtimtari janë 10 vdekje. 4 në raste individuale duke ndërtuar shtëpi private. 2 prej tyre kanë qenë punëdhënës. 7 raste rënie nga lartësia, ndërsa pjesa tjetër në industri dhe tregti. Është edhe kujdes jo i mjaftueshëm i punëtorëve në vendin e punës që po ndikon në këto raste”, theksoi ai.

Ndërsa anëtarja e Komisionit Fatmire Kollqaku, e fajësoi Qeverinë e Kosovës që nuk po ndan buxhet për rritjen e numrit të inspektorëve të punës.

“Vetëm në 10 ditët e fundit i kemi dy viktima në vendin e punës. Ndër sektorët më vdekjeprurës po del të jetë ndërtimtaria.

“Ka numër të vogël të inspektorëve. Qeveria këtu po tregohet jo-serioze, nuk po ka buxhet për rritjen e numrit të inspektorëve ndërsa po ka për zëvendësministra dhe poste tjera. Përgjegjësia për këto raste bie te bizneset”, tha ajo.

Deputeti Enver Hoti, tha se siguria në vendet e punës në Kosovë është minimale.

“Dëgjuam një raport në mënyrë telegrafike. Siguria po shihet që është shumë minimale në vendet e punës. Institucioni i juaj është i rrënuar, qytetarët nuk kanë besim as te ju as te qeveria dhe as te ministria. S`kanë besim te inspektorati juaj, por as te të tjera inspektorate. Nuk duhet të themi se ka vdekje nga pakujdesia e punëtorëve. Kjo është lëndim i dytë që mund t`i ndodhë familjeve të atyre që janë lënduar ose kanë vdekur në vend të punës”, tha ai.