Sekretari Mohoi se Largoi Profesorin nga Puna

Adem Sallauka, sekretari i përgjithshëm i Universitetit të Prizrenit paraqiti mbrojtjen në gjykimin ku akuzohet për shpërdorim detyre.

Sallauka bashkë me Mazllum Baraliun,ish-rektorin e Universitetit “Ukshin Hoti” dhe zyrarin për buxhet e financa të këtij universiteti Halim Hazirajn akuzohen se duke shfrytëzuar postet e tyre me dashje dhe dijeni shkelën seriozisht të drejtat e profesorit Enver Sopjani, duke ia shkëputur marrëdhënien e punës.

Por gjatë mbrojtjes së tij Adem Sallauka deklaroi se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për shkëputjen e marrëdhënies së punës Enver Sopjanit që në këtë proces është palë e dëmtuar.

Ai tha se largimi nga puna i dikujt është kompetencë e rektorit, ndërsa bëri të ditur se për vendimin e largimit nga puna të profesorit Sopjani ka marrë vesh vetëm në Prokurorinë e shtetit kur është intervistuar për këtë rast.

Sallauka u pyet më pas nga avokati i tij Fatmir Jelliqi se a është i obliguar sekretari i përgjithshëm i universitetit të zbatojë vendimet e Ministrisë së Arsimit.

“Sekretari i përgjithshëm i universitetit nuk është i obliguar të zbatojë asnjë vendim që vjen nga jashtë universitetit,” u përgjigj i akuzuari Adem Sallauka.

Naser Sopjani, avokati i profesorit Enver Sopjani tha se i akuzuari Sallauka u mundua t’i ikë përgjegjësisë duke ia lënë fajin ish-rektorit.

“Komplet u konstatua veprimet e tij që kanë qenë në atë formë që tani mundohet t’i fshehë pas autoritetit, apo pas pozitës, kinse çdo gjë është bërë me urdhra apo kërkesat e ish rektorit të asaj kohe,” tha Sopjani.

Sopjani parashikoi që në fund të gjykimit do të vërtetohet se të akuzuarit me qëllim ia ndërprenë marrëdhënien e punës Enver Sopjanit.

“Besojmë që do të vërtetohet që në tërësi këta persona veprimet e tyre i kanë kryer me dashje të plotë dhe me qëllim nuk i kanë zbatuar vendimet e MASHT-it, si institucion që është më i lartë dhe ka qenë obligative që Enver Sopjani ta nisë punën e tij si profesor i asocuar në Universitetin e Prizrenit,” tha avokati Sopjani.

Seanca  ardhshme u caktua me 15 nëntor, ku do të jepet fjala përfundimtare në këtë rast.