Murtez Zeqiri me shefin e partisë së tij, Kadri Veselin

Sekretari i PDK-së në degën e Bedri Hamzës punësohet në ATK

Murtez Zeqiri, i cili deri vonë ka qenë i angazhuar në Partinë Demokratike të Kosovës, si administrator i zyrës së PDK-së në Mitrovicë, është në mesin e kandidatëve të përzgjedhur për inspektor tatimor.

Zeqiri është renditur i teti në mesin e 20 kandidatëve të përzgjedhur për inspektor në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).

Ai mohoi të ketë pasur ndikime politike në përzgjedhjen e tij.

“Jo, jo, gjithçka ka qenë sipas procedurës së përcaktuar për të gjithë kandidatët”, tha shkurt për KALLXO.com Murtez Zeqiri.

Ai duket mjaft aktiv në mbledhjet e fundit të PDK-së në Mitrovicë.

 

Pak më parë KALLXO.com raportoi se në mesin e të punësuarve në ATK është edhe kushëriri i zv. ministrit të Ministrisë së Financave, Mustafa Grainca, Pajtimi.

https://kallxo.com/edhe-kusheriri-i-zevendesministrit-te-financave-punesohet-inspektor-ne-atk/

Po ashtu, KALLXO.com raportoi se në listen e të punësuarve për inspektor ndodhen edhe motra e deputetes së LDK-së, Vjosa Osmani si dhe një ish-kandidat I AAK-së për Asamblenë Komunale të Drenasit.

Konkursi për inspektorët e rinj ishte shpallur në mars të vitit 2019.

Në të kanë aplikuar rreth 2,000 kandidatë, ndërsa 512 kandidatë janë i kanë plotësuar kriteret minimale dhe janë thirr në test. Në fund vetëm 20 janë përzgjedhur.

Pas shpalljes së konkursit BIRN kishte kërkuar nga Administrata Tatimore e Kosovës që t’i lejohej monitorimi i këtij procesi të rekrutimit.

ATK nuk e ka lejuar BIRN-in të monitorojë këtë proces përkundër faktit që Ministria e Administratës Publike kishte dhënë interpretim të ligjit dhe rregulloreve në fuqi që monitorimi nga ana e shoqërisë civile nuk ndalohet me ligj dhe se i takon institucionit të vendosë për të lejuar apo mos lejuar monitorimin. Por, menaxhmenti i ri i ATK-së kishte vendosur që mos të lejojë BIRN-in.

Kërkesat e BIRN ishin refuzuar me arsyetimin se kjo mund të shfrytëzohej si model edhe nga organizatat e tjera  që të kërkonin leje për monitorimin e proceseve të rekrutimit në ATK.