Sekretari i MPJ-së Lë Detyrën për Bordin e ARKEP-it

Gashi dha dorëheqje nga pozita e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme, pasi u zgjodh të hënën nga Kuvendi i Kosovës kryesues i Bordit të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare- ARKEP.

Lajmin për dorëheqjen në ministri e dha vetë Gashi për KALLXO.com

“ Dje kam deponuar dorëheqjen time prej sekretarit të përgjithshëm të MPJ-së pas marrjes së vendimit të Kuvendit të Kosovës,” tha Gashi.

Ai tregoi që aktualisht në këtë pozitë ka lënë një person të besueshëm, derisa ajo ta emërojë dikë në këtë post.

Gashi ishte emëruar sekretar i përgjithshëm i MPJ-së më 18 shkutr 2015 në mbledhjen e rregullt të  Qeverisë së  Kosovës.

Nga 21 aplikantë për këtë pozitë ai ishte përzgjedhur më i miri për ta ushtruar funksionin e sekretarit të përgjithshëm për tre vjetët e ardhshëm.

Sipas biografisë së tij të publikuar në faqen e MPJ-së, Gashi ka mbaruar Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Universitetin e Prishtinës dhe ka magjistruar në Universitetin e Cranfield-it në Mbretërinë e Bashkuar.

Ai ka udhëhequr Komisionin e Përhershëm Qeveritar për Sigurinë e Hetimeve të Aviacionit pranë Zyrës së Kryeministrit për pesë vjet me radhë.