Sekiraqa: Besnik Hasani më Montoi Rast Gjyqësor

Prokurori i rastit, Andrew Carney, ka insistuar në pyetjen drejtuar të akuzuarit Enver Sekiraqa nëse e urrente policin Triumf Riza, i cili është vrarë më 30 gusht 2007. Sekiraqa akuzohet se e ka nxitur këtë vrasje.

“Z. Sekiraqa, po sugjeroj se për vite të tëra keni pasur shumë motive që ju ka bpërë të urreni z. Triumf Riza. A është e saktë?”, ka pyetur prokurori.

“As nuk është korrekte as nuk është e saktë. Nëse është dashur të urreja dikë ai është Besnik Hasani, që më kanë rrahur, më kanë burgosur, më kanë montuar proces gjyqësor, m’i kanë qitë bombat te lokali”, u përgjigj i akuzuari.

Prokurori edhe në seancën e sotme e pyeti të akuzuarin se a është e vërtetë se pasditen kur është vrarë Triumf Riza ishte larguar nga qyteti, sepse e dinte që vrasja po ndodhte, dhe kishte pritur që Arben Berisha ta pranojë fajin dhe vetë të kthehej në një kohë të mëvonshme kur gjithçka do të jetë e kryer.

Sekiraqa u përgjigj duke thënë së ai është kthyer në kohën kur PDK-ja ka qenë në pushtet dhe njerëzit që ai i ka akuzuar për krime lufte janë brenda asaj partie. “Qysh mundet me qenë kjo reale nëse Qeverinë e ka fituar PDK-ja dhe njerëzit që unë i akuzoj njëri është nënkryetar partie dhe personi tjetër ka qenë deputet i PDK-së”, tha ai.

Këtu e ka ndërprerë kryetari i trupit gjykues, duke i thënë se këtu po flasim për për vrasjen e Triumf Rizës dhe duke i kërkuar të mos fliste për çështje politike.

KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi procesin gjyqësor ndaj Enver Sekiraqës.

http://kallxo.com/enver-sekiraqa-tregon-si-e-shpetoi-triumf-riza-nga-vrasja/

http://kallxo.com/te-sekiraqa-ekspertiza-per-triumf-rizen/

http://kallxo.com/enver-sekiraqa-deklarohet-i-pafajshem-prokurori-kerkon-se-paku-35-vjet-burg/