Grupi i Deputetëve të Pavarur | Foto: Atdhe Mulla

Sejdiu: ZRRE-ja thotë se çmimi i energjisë do të shtrenjtohet për 52%

Shefi i grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu i ka kërkuar Kryeministrit Haradinaj që të lexoj raportet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE-së), që sipas tij thonë se në të ardhmen Kosova do të paguaj më shtrenjtë energjinë që e prodhon vet, se sa të importoj nga vendet e tjera.

“I’u kisha lut kryeministrit që me i lexu raportet e ZRRE-së, janë shumë të rëndësishme. E kemi pyet se çka ndodhë me çmimet e energjisë elektrike në të ardhmen dhe ka thanë kështu: Për shkak se kemi tashmë tepri të ofertës, çmimet do të bien, pra kjo i bie që ne do të paguajmë çmimin ma të shtrenjtë prej prodhimit tonë sesa prej importit, për shkak se i kemi thanë çmim të synuar prej 80 euro për megavat/orë”, tha në mes tjerash Sejdiu në foltoren e Kuvendit.

Sejdiu ka thënë se ZRRE-ja e ka bërë një analizë për rritjen e çmimit të energjisë në të ardhmen duke i marr parasysh investimet në Kosovën e re, por edhe investime e tjera që do të jenë të nevojshme. ZRRE-ja sipas Sejdiut, ka thënë se çmimi i energjisë elektrike do të rritet për 66% në çmimin e shumicës, ndërsa çmimi i energjisë që do të paguajnë konsumatorët fundor do të jetë për 52% më i lartë se tash.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj i’u është kundërpërgjigjur Sejdiut duke e vlerësuar për shkak të besimit që ka në ZRRE.

Sipas Haradinajt, ZRRE nuk është aq e mençur sa të dijë çmimin e tregut global në të ardhmen.

“Po flet shumë për çmime të importit, nëse po i beson kaq shumë ZRRE-së, bravo, por nuk mendoj që ZRRE-ja jonë është aq e mençme sa me na tregu ne se qysh kanë me qenë çmimet në tregun, global a rajonal a evropian në vitet që vijnë, sepse ato varen nga shumë perimetra tjerë. Nuk është ZRRE-ja jonë na tregon se çfarë çmime ka, e nëse po folim për disa sekserë të energjisë, ata të gjithë kanë dëshirë me importu, unë s’besoj që t’i je si ta, se po lakmon me ble, po thu çmimi i importit është i mirë, se tanë po na thoni s’po e mbjellim arën tonë, sepse me marrë atje larg është ma lirë. E çka me i ba na qymyrit tonë këtu”, tha në mes tjerash Haradinaj.

Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur interpelancë për marrëveshjen me Contour Globalin.