Foto: Facebook

Sejdiu Kundër Ajrit të Ndotur Propozon Drunj Pluhur-Thithës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, ka thënë se nesër në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës do t’i propozojë Qeverisë që për qytetet e Prishtinës, Obiliqit, Fushë-Kosovës dhe Podujevës të blihen me procedura të përshpejtuara të prokurimit drunnj të meçur.

“Ndonëse, zgjidhja afatgjate e problemit të ndotjes ndërlidhet me shumë faktorë, duke përfshirë këtu edhe përdorimin e qymyrit për energji elektrike, kontrollin e cilësisë së naftës, si dhe gjendjen e rëndë sociale e që i shtynë qytetarët të përdorin qymyrin për ngrohje në shtëpitë e tyre, intervenimet si kjo që do të propozojë nesër, munden që sado pak të ndihmojë në këtë drejtim!”, ka shkruar Sejdiu në profilin e tij në “Facebook”.

Postimin e tij, Dardan Sejdiu e ka shoqëruar me një artikull të një mediumi të huaj, i cili tregonte për një lloj druri që është edhe dekorues edhe pluhur-thithës, pra që e pastron ajrin në qytete me ajër të ndotur.

Këtë propozim Sejdiu e ka bërë pas fushatës së nisur për të gjetur zgjidhje për ajrin e ndotur të Prishtinës dhe qyteteve përreth.

Ajri i ndotur e ka vendosur për disa ditë kryeqytetin e Kosovës në maje të listës së qyteteve botërore me ajër të ndotur.