Sejdi Hoxha zgjidhet kryetar i degës së PDK-së në Drenas

Kryeshefi i Postës së Kosovës është zgjedhur edhe kryetar i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci në “Facebook”.

Ai procesin zgjedhor e quajti garë fer, demokratik dhe në përputhje të plotë me rregulloret e Komisionit Qendror për Zgjedhje të Brendshme.

“Dekada e Re, në Drenas do të fuqizohet, jo vetëm me Kryetarin e ri, Z. Sejdi Hoxha, por edhe me Kuvendin e ri të Degës dhe delegatët për Konventën Qendrore të PDK-së, duke e rikonfirmuar se Drenasi, ishte, është dhe mbetet bastion i PDK-së, ashtu siç dje, ishte bastion i UÇK-së”, ka shkruar Lladrovci.

I pari i Drenasit, i ka uruar bashkëpartiakut të tij përkrahje dhe bashkëpunim të plotë.

“Kryetarit të ri, Sejdi Hoxhës dhe Kryesisë së re, i ofroj përkrahje dhe bashkëpunim të plotë, në të gjitha nivelet, duke u zotuar se së bashku, Dekada e Re dhe vizioni i liderit tonë, Kadri Veseli, është rruga jonë e vetme për komunën dhe qytetarët tanë, në shërbim të mirëqenies së çdo qytetari pa dallim”, ka shkruar Lladrovci.

Sejdi Hoxha është njëheresh edhe kryeshef i Postës së Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar sot se në procesin zgjedhor nuk është lejuar prezenca e mediave.