Seancë e Mbyllur në Gjykimin e Naser Kelmendit
Sot në gjykimin e Naser Kelmendit seanca është e mbyllur për publikun.
Mbyllja është bërë, ngase në seancë është ftuar një dëshmitar i mbrojtur.
Naser Kelmendi akuzohet për vrasje të rëndë, krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.
Ai krahas shtetësisë kosovare e ka edhe atë boshnjake, ndërsa u arrestua nga policia e Kosovës në majin e 2013-ës, pasi u kërkua me fletarrest ndërkombëtar nga Bosnja.
Pasi Bosnja e Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe as marrëveshje ekstradimi, Kelmendi është duke u gjykuar në Kosovë, por ai ka akuzë edhe në Bosnjë.
Në Bosnjë Kelmendi po akuzohet për krim të organizuar, vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën Latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore.
Kur iu lexua aktakuza më 16 janar, Kelmendi u deklarua i pafajshëm, ndërsa e cilësoi aktakuzën një prodhim nga Bosnja.