Gjykimi per tentim vrasje ndaj Menotr Gola - Gjakove

Seanca ndaj të akuzuarit për tentim vrasje shtyhet pasi mungoi avokati

Në gjykimin ku i akuzuari Mentor Gola, dyshohet se kishte shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit Lorik Lipoveci, nën ndikim të alkoolit duke sharë dhe shkrepur armën, seanca e planifikuar për sot është shtyer për datën 13 nëntor.

Gjyqtari Gëzim Pozhegu, për shkak të mungesës së mbrojtësit të të akuzuarit avokatit Ndrec Dodaj, bëri shtyrjen e seancës për tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Sot ishte planifikuar që mbrojtësi i të akuzuarit Gola, avokati Ndrec Dodaj t`ia prezantojë Gjykatës kundërshtimet e tij lidhur me provat e aktakuzës.

I dyshuari Gola i propozoi Gjykatës që seanca e sotme të shtyhet, pasi që mbrojtësi i tij gjendej jashtë shtetit.

Lidhur me këtë propozim u pajtua edhe prokurori Ali Uka, i cili tha se kjo vepër është e natyrës së rëndë.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

https://kallxo.com/gjakove-lirohet-nga-paraburgimi-te-dyshuarin-per-vrasje-ne-tentative/

Në seancën fillestare të mbajtur në muajin tetor, i akuzuari Mentor Gola e kishte pranuar fajin për posedim të armës pa leje, por jo për akuzën e vrasjes në tentativë.

“Unë nuk kam shkuar me qëllimin që ta privoj nga jeta askënd”, kishte thënë i pandehuri Gola.

https://kallxo.com/i-akuzuari-nuk-shkova-me-qellimin-per-ta-privuar-nga-jeta-askend/

Prokuroria dyshon se me datë 5 qershor, Mentor Gola nën ndikimin e alkoolit kishte gjuajtur një herë me armë, duke e goditur derën e shtëpisë e pastaj kishte ikur.

Ndërkaq në seancën dëgjimore të mbajtur në qershor, Gola i kishte kërkuar falje familjes së dëmtuar dhe kishte thënë që nuk i kujtoheshin veprimet e tij pasi që kishte qenë nën ndikim të alkoolit.

https://kallxo.com/i-dyshuari-i-kerkon-falje-familjes-se-viktimes-nuk-i-kujtohen-veprimet-e-gjuajtjes-me-arme/

Në lidhje me këtë rast i dyshuari Mentor Gola, me kërkesën e Prokurorisë kishte qëndruar në paraburgim për një muaj për veprën penale të vrasjes në tentative dhe të mbajtjes nën kontroll të armës së paautorizuar.

Ndërsa mbrojtja kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, duke e kundërshtuar caktimin e paraburgimit.

https://kallxo.com/nje-muaj-paraburgim-per-vrasjen-ne-tentative-ne-gjakove/

.