Nga mbledhja e sotme e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

Seanca e Ardhshme e Kuvendit më 28 Prill

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur sot që seanca e ardhshme e legjislativit të mbahet më 28 prill.

Kryeparlamentari Kadri Veseli tha se në seancën e radhës në rend dite do të jenë disa pika.

“Më 28 prill në ora 10:00 kemi seancë të rregullt parlamentare me disa pika të rendit të ditës, në të cilat ka disa projektligje, disa raporte do të shqyrtohen dhe disa emërime do të bëhen, të cilat janë kompetenca të Kuvendit”, tha Veseli.

Veseli tha se oferta për opozitën vlen ende dhe se ata duhet të kthehet në Parlament në mënyrë që të jenë pjesë e politikave vendimmarrëse.

“Për opozitën vlen po ajo ftesë e cila ka qenë çdoherë. Ata duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Duhet të kthehen sa më shpejtë në Parlamentin e Kosovës. Pak ka rëndësi cilat janë raportet aktuale mes tyre. Ne kemi në vazhdimësi disa komunikime të cilat janë mes nesh dhe të cilat nuk e atakojnë drejtpërdrejt lidershipin e partive”, u shpreh ai.

Se a ka të bëjë oferta me zgjedhje të parakohshme, Veseli tha se mandati kushtetues është deri në vitin 2018 dhe sipas tij obligim i tyre është ta përmirësojnë jetën e qytetareve e  jo të ketë zgjedhje çdo ditë.

Sa u përket zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, Kadri Veseli tha se Republika e Kosovës është vend i pavarur dhe sovran.

Kryeparlamentari theksoi se i kanë shqetësimet për bashkëkombësit nga Lugina e Preshevës. Për ata, Veseli tha se janë ballafaquar me disa probleme siç janë ndërrimi i listave, vendosja e shkronjave cirilike, gjë që nuk janë përdorur as në kohën e Milloshoviqit.

I pari i Kuvendit tha se do të kërkojnë reciprocitet që Serbia të sillet në mënyrë reciproke, ashtu siç Kosova po sillet me serbët në Kosovë.