Së shpejti vushtrriasit mund të marrin shërbime urologjike në qytetin e tyre

Banorët e Vushtrrisë kanë kërkuar shërbime urologjike kryesisht në Prishtinë kjo pasi që në spitalin rajonal nuk janë ofruar këto shërbime.

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka njoftuar se tashmë është përuruar investimi i ri në këtë spital.

“68 mijë banorët e Vushtrrisë, deri më sot është dashur të udhëtojnë për në Prishtinë ose për spitalet tjera për shërbimet urologjike. Së shpejti, ata nuk do të kenë nevojë ta bëjnë më këtë. Sot përuruam investimin e ri në Spitalin e Përgjithshëm të këtij qyteti, me 5 dhoma shtesë, 15 shtretër më shumë, recepsion të ri, në një sipërfaqe prej 400 metra katrorë, me ndihmën e “Gjysmëhënës së Kuqe”, tha Ismaili.

Sipas tij investimet nuk do të ndalen për Vushtrrinë dhe qytetet tjera në Kosovë, për të bërë spitalet edhe më moderne dhe të qasshme për pacientët.