SBAShK sërish i reagon ministrisë për kompensimin e orëve të humbura në grevë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka reaguar ndaj Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, lidhur me kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës.

SBASHK përmes një komunikate thotë se, drejtori i përgjithshëm i Inspektoratit të Arsimit në MASHT, Defrim Gashi ka tentuar që me një shkresë pa titull drejtuar  kryetarëve të komunave, drejtorëve të DKA-ve, drejtorëve të shkollave dhe mësimdhënësve, sipas sindikatës, u ka kërkuar që të vënë në zbatim vendimin e ministrit Bytyqi të lidhur  me kompensimin e orëve të humbura në grevë.

SBASHK-u e ka quajtur cinik kryeinspektorin e Arsimit.

“Kjo letër pa titull ka edhe  pjesë të tjera që nuk kanë të bëjnë asgjë me të vërtetën,  as me realitetin e as nuk kanë as edhe një bazë ligjore dhe prandaj ne e këshillojmë miqësisht Kryeinspektorin që  të merret me punët që i takojnë  e të mos vihet në shërbim të Ministrit dhe vendimit të tij jo ligjor e për të bërë presione shtesë ndaj mësimdhënësve lidhur me orët e humbura në grevë”, thuhet ndër të tjerash në reagim.

Komunikatën e plotë të SBASHK-ut, e gjeni më poshtë:

Kryeinspektori   dëshiron  t’i hyj në hatër Ministrit

Drejtori i përgjithshëm i Inspektoratit të Arsimit në MASHT,z Defrim Gashi për t’i  bërë lajka  Ministrit, tenton me një shkresë pa titull drejtuar  kryetarëve të komunave, drejtorëve të DKA-ve, drejtorëve të shkollave dhe mësimdhënësve që të vënë në zbatim vendimin e Ministrit Bytyqi të 1 marsit e lidhur  me kompensimin e orëve të humbura në grevë, vendim ky  i pabazuar ligjërisht  dhe i kontestuar e i dërguar nga SBASHK në Gjykatën Themelore  në Prishtinë me kërkesën  që  ai të hedhet poshtë  sepse nuk ka bazë ligjore.

Që në hyrje të kësaj letre pa titull, kryeinspektori thotë: “ Kompensimi i orëve të humbura është obligim ligjor e moral”. Me këtë thënie kryeinspektori tenton  të krijojë huti dhe ta mashtrojë opinionin sepse nuk tregon se cili  ligj na qenka ai që obligon mbajtjen e orëve të humbura në  grevë. Një ligj nuk ekziston fare.

Kryeinspektori  Gashi shkon tutje duke përmendur Ligjin e Inspektoratit të Arsimit e për të thënë se : “ Në të gjitha veprimet e tij inspektorati vendos  në radhë të parë në mbrojtje të interesave të nxënësve dhe studentëve”, por ai pikërisht  kështu shkel interesat e nxënësve sepse as nxënësit e as prindërit nuk kanë dhënë pajtim që java të jetë me 6 ditë pune kur ajo  është paraparë të jetë  pesëditëshe.

Kryeinspektori Gashi  me tutje në këtë letër bëhet edhe cinik ngase i jep të drejtë grevës, por pastaj del mbi ligjin  dhe me cinizmin e tij thotë:” Realizimi  i kërkesave të mësimdhënësve duhet bërë pa dëmtuar interesin e fëmijëve”, e për ta cituar pastaj edhe Kontratën e punës se si nuk duhet shfrytëzuar pozitën e punës për interesa personale. Krejt kjo  është deklaratë se koti e Gashit. Grevistët me grevën nuk shfrytëzojnë kurrë pozitën e tyre për interesa personale, por veprojnë sipas ligjit të grevave  dhe greva është e drejtë e tyre e garantuar.

Kjo letër pa titull ka edhe  pjesë të tjera që nuk kanë të bëjnë asgjë me të vërtetën,  as me realitetin e as nuk kanë as edhe një bazë ligjore dhe prandaj ne e këshillojmë miqësisht Kryeinspektorin që  të merret me punët që i takojnë  e të mos vihet në shërbim të Ministrit dhe vendimit të tij jo ligjor e për të bërë presione shtesë ndaj mësimdhënësve lidhur me orët e humbura në grevë. Kryeinspektori nuk është dashur të hesht kur Ministri me një vendim të ngutshëm e bazuar në tekat e tij bëri suspendim masiv të drejtorëve të departamenteve për të angazhuar të tjerë në këto poste udhëheqëse,  vendimi i tij u hodh poshtë nga  Komisioni i Pavarur Mbikëqyrës për shërbyesit civilë dhe me siguri tani paguhen nga dy persona për të njëjtin vend të punës.  Në MASHT mund të ketë edhe parregullsi të tjera  i nderuari Kryeinspektor Gashi dhe duke të parë se ke nisur  të angazhohesh për t’i hyrë në hatër Ministrin  kanë filluar të na krijohen dyshime se  edhe vlerësimi i përformancës që udhëhiqet nga ti mund të jetë jo real, por i diktuar nga Ministri sipas simpative e tekave të tij ndaj mësimdhënësve.

Në fund të këtij reagimi  i bëjmë thirrje anëtarësisë  që të mos merren me shkresa të tilla pa titull, por të vazhdojnë ta respektojnë vendimin e Këshillit Drejtues të SBASHK-ut, i cili duke u bazuar në vullnetin e të punësuarve në Arsimin Parauniversitar  ka vendosur që orët e humbura në grevë mos të zbatohen  derisa gjykata nuk sjell vendim meritor  për këtë çështje.

SBASHK i bën apel   ministrit  Bytyqi që ta ndërrojë qasjen ndaj SBASHK dhe të mos vazhdojë me  vendime të njëanshme e tendencioze. Ai duhet të mos harrojë se SBASHK-u është zëri  i të punësuarve në arsim dhe ky zë do të respektohet gjithmonë.  Kujtojmë  ministrin Bytyqi se ai për dialog të sinqertë e të vazhdueshëm me SBASHK-un është zotuar  edhe në takimin me Drejtoren e përgjithshme të Internacionales Botërore të Arsimit për Evropën, znj. Suzan Flocken, por këtë zotim nuk është duke e mbajtur  dhe ne do ta  informojmë drejtoren Flocken për këtë.

 

Prishtinë, 8 mars 2019,

Zyra për informim e SBASHK-ut