Fëmijë në klasë (Ilustrim). Foto: REL

SBAShK humb 'betejën' e parë në gjykatë lidhur me kompensimin e orëve të humbura (Dokument)

Gjykata  Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative ka vendosur që të refuzohet si e pabazuar kërkesa e SBAShK-ut në lidhje me pezullimin e vendimit të MAShT-it për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës së mësimdhënësve në muajin janar.

“Refuzohet si e pabazuar kërkesa e paditëses Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), me të cilën ka kërkuar nga Gjykata shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të të paditurës, Ministria e Arsimit, Shkencë dhe Teknologjisë (MAShT) të datës 26.02.2019, deri në vendosjen e çështjes sipas padisë”, thuhet në vendimin e Gjykatës të cilin e ka siguruar Kallxo.com.

Më 4 mars 2019, SBAShK-u kishte parashtruar padi në gjykatë kundër MAShT-it me të cilën ka kërkuar të anulohet vendimi. Po ashtu SBAShK ka kërkuar nga gjykata që ekzekutimi i të njëjtit të shtyhet deri në vendosjen definitive të padisë.

“Duke vlerësuar kërkesën e SBAShK-ut, Gjykata pas shqyrtimit të dokumenteve të bashkëngjitura ka gjetur që SBAShK-u me asnjë provë nuk e ka bërë të besueshme pretendimin e saj se shtyrja e ekzekutimit të vendimit të cilin e kërkon, nuk është në kundërshtim me interesin publik”, thuhet në vendim.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka deklaruar për Kallxo.com se janë njoftuar në lidhje me vendimin e Gjykatës por që janë në pritje të seancës e cila do të mbahet në lidhje me pjesën tjetër të padisë.

“Po, ne kemi kërkuar dy elemente nga gjykata, që fillimisht të pezullohet vendimi i ministrit, mos të filloj zbatimi i tij. Gjykata nuk e ka parë të rrugës që të sjell një vendim për pezullim. Kurse do të mbahet seancë gjyqësore në lidhje me vendimin”, ka deklaruar Jashari për Kallxo.com.

Ministria e Arsimit e Shkencës dhe e Teknologjisë ka marrë vendim për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës se mësimdhënësve të organizuar nga SBAShK-u.

Sipas këtij vendimi, mësimi i humbur për shkak të ndërprerjes së përkohshme të mësimit në institucionet e arsimit parauniversitar publik, me rastin e grevës së mësimdhënësve do të zëvendësohet:

5 ditë të zëvendësohen nga pushimi pranveror, prill 2019;

5 ditë të shtuna të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019;

5 ditë të zgjatet përfundimi i vitit shkollor 2018/2019.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj kishte deklaruar se këtë padi e kanë bërë pasi që konsiderojnë se vendimi për zëvendësimin e orëve të humbura, nuk ka bazë ligjore.

“Këtë aktpadi po e bëjmë nga fakti se konsiderojmë që vendimi i tij nuk është i bazuar në asnjë ligj, pra as në ligjin për greva. SBAShK-u me dokumentin që dorëzon në gjykatw ka kërkuar nga gjykata gjegjëse që fillimisht të pezullojë vendimin e ministrit Bytyqi, pastaj të marrë  vendim meritor në bazë të argumenteve që ne i shtruam dhe në bazë të ligjit për greva”, tha Jasharaj.

Më poshtë gjeni të bashkëngjitur vendimin e Gjykatës të cilin e ka siguruar Kallxo.com.