Sarajeva Përkujton Sulmin Vdekjeprurës në 'Markale'
Të afërmit e të vdekurve, të mbijetuarve dhe dashamirës vizituan dhe vunë lule të premten në zonën ku 68 njerëz u vranë dhe 144 të tjerë u plagosën, kur një predhë goditi tregun e populluar në Sarajevë më 5 shkurt 1994.
Një i mbijetuar, Esad Pozderaç, i tregoi BIRN për programin televiziv Drejtësia në Bosnje-Hercegovinë përpara festimit se si arriti të shpëtojë nga shpërthimi, por motra e tij u vra.
“Kur pashë përreth, të gjithë kishin vdekur. Gjaku po rridhte si lum… Kishte njerëz pa duar dhe këmbë,” tha Pozderaç.
“Pata frikë se do të binte një granatë tjerët, por shkova të shihja nëse ime motër ishte në rregull. Kur e gjeta, pashë që kishte vdekur,” shtoi ai.
Një tjetër i mbijetuar, Sead Pesto, tha se ai shkoi në treg më 5 shkurt për të shkëmbyer cigaret për ushqim.
“Tregu ishte plot me njerëz. Ata vinin duke kërkuar ushqim. E vetmja gjë që mund të kujtoj është një fishkëllimë e tmerrshme, që krijohet nga një predhë në rënie. Ishte vërtetë e tmerrshme, sepse gjithçka u kthye në kasaphanë papritur. Shumë njerëz ishin në tokë, duke rënkuar dhe duke qarë,” tha për BIRN Pesto.
Ai kujtoi se u përpoq të ngrinte një të plagosur, por gjoksi i viktimës i mbeti në duar.
“Ai ishte ndarë në dysh. Ishte vërtet e tmerrshme,” tha ai.
Amela Dautbegoviç, ministre e punës, politikave sociale, personave të dëbuar dhe refugjatëve në Kantonin e Sarajevës, tha në ceremoninë përkujtimore se krimi nuk duhet harruar kurrë.
“Jemi mbledhur për qytetarët dhe fëmijët tanë, sepse nuk kemi harruar dhe nuk duhet të harrojmë krimet monstruoze ndaj qytetarëve të Sarajevës, të cilët u vranë çdo ditë në përpjekje për të mbijetuar, ndërsa mbanin radhë për ujë dhe bukë, teksa ishin duke marrë pjesë funerale, duke luajtur, rrugës për në shkollë,” Dautbegoviç.
Vetëm një person deri tani është dënuar për vrasjet.
Stanislav Galiç, komandanti i Tru[ave Sarajevsko-Romanijski të Ushtrisë serbe të Bosnjës, u dënua me burgim të përjetshëm në nëntor të vitit 2006 për krime lufte në Sarajevë, përfshirë bombardimin e tregut Markale.
Vendimi thoshte se sulmet përfaqësonin “një shembull të sulmit të qëllimishëm me shënjestër civilët”.
Markale u godit me predha edhe më 28 gusht 1995; 43 njerëz vdiqën dhe 75 u plagosën në këtë sulm.
Ish krerët politikë e ushtarakë serbë boshnjakë Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç janë aktualisht në gjyq në Tribunalin e Hagës për bombardimin e Sarajevës, në mesin e krimeve të tjera të dyshuara.