Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin - Foto: REL/AP

Samiti Putin-Trump mbahet më 16 korrik në Helsinki

Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë kanë njoftuar se samiti në mes të presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin do të mbahet në Helsinki më 16 korrik.

“Të dy liderët do të diskutojnë marrëdhëniet ne mes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, si dhe një varg çështjesh të sigurisë kombëtare”, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate.

Sipas agjencive ruse të lajmeve është bërë e ditur se Putin dhe Trump do të diskutojnë marrëdhëniet SHBA-Rusi dhe çështjet ndërkombëtare.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se me homologun e tij rus do të diskutojnë për Ukrainën, Sirinë dhe “tema tjera” në takimin e tyre të parë.

Komentet e Trumpit para gazetarëve më 27 qershor në Uashington kanë ardhur pasi Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton, ka thënë në një konferencë për media në Moskë se Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini do të nisin një varg njoftimesh më 28 qershor për të treguar datën dhe vendin e takimit të dy liderëve. (REL)