Sami Lushtaku: Ramushi do të dalë fitimtar edhe në këtë betejë

Ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku thotë se ndjehet i shqetësuar për ftesën që i është bërë nga Gjykata Speciale, tashmë ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Ai thotë se miku i tij, do të dalë fitimtar edhe në këtë betejë, ashtu siç kishte ndodhur edhe në të kaluarën.

“Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë dhe e pastër dhe e tillë është dëshmuar në vazhdimësi, para gjykatave vendore dhe ndërkombëtare”, ka shkruar Lushtaku.

Gjykata Speciale e kishte ftuar për intervistë edhe Sami Lushtakun dhe 10 luftëtarë të tjerë për t’u intervistuar në janar të këtij viti.

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryeministrit pasi ka marrë ftesë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Haradinaj dha dorëheqje në mbledhjen e Qeverisë duke thënë se në Gjykatën Speciale nuk mund të shkojë si përfaqësues qeverisë së Kosovës.

Historiku i Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme, e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.

https://kallxo.com/haradinaj-per-ftesen-e-speciales-do-tu-pergjigjem-shpifesve/

https://kallxo.com/opsionet-kushtetuese-te-hashim-thacit-pas-renies-se-qeverise/