Sami Lushtaku Kthehet në Burgun e Dyzit

Pas disa orë qëndrimi për trajtim mjekësor në QKUK, kryetari i Skënderajt Sami Lushtaku është kthyer në burgun e sigurisë së lartë në Dyz të Podujevës.

Ai gjatë orëve të mbrëmjes iu nënshtrua një kontrolli te kardiologu pasi është ankuar tash e disa ditë për probleme shëndetësore.

20:55

Kryetari i Skënderajt, i dënuar për krime të luftës, Sami Lushtaku, më në fund është lejuar që dalë nga burgu i sigurisë së lartë në Dyz të Podujevës dhe të trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Pas disa ankesave rreth shëndetit të tij, Lushtaku tashmë gjendet në QKUK dhe ndaj tij po bëhet një trajtim mjekësor.

Ardhjen e Lushtakut në këtë qendër mjekësore e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe shefi i ndërrimit në Qendrën Emergjente, Avdush Bajgora.

“Z. Lushtaku po trajtohet nga kardiologët. Detaje më shumë nuk mund të jap”, tha mjeku Bajgora.

Jashtë QKUK-së janë duke u vërejtur policë dhe gardianë ndërsa trajtimi i tij po vazhdon.

Herën e parë kur u trajtua në QKUK në pranverë të vitit 2014, Lushtaku u arratis nga policia për disa ditë rresht duke krijuar një situatë konfuze rreth kësaj qendreje.

Dërgimin e Lushtakut në QKUK e konfirmoi për KALLXO.com edhe avokati i tij, Arianit Koci

“Gjendjen e ka shumë të rëndë”, tha Koci për KALLXO.com.

Edhe Mërgim Lushtaku, djali i kryetarit të Skënderajt, i cili aktualisht gjendet në QKUK në përcjellje të trajtimit të babait të tij tha se gjendja shëndetësore e Sami Lushtakut “është shumë e rëndë”, por nuk dha detaje tjera.

Shumë familjarë të Lushtakut janë jashtë QKUK-së në pritje të lajmeve nga brenda.

Vitin e kaluar, Lushtaku është dënuar me 12 burg në një aktakuzë për krime lufte nga një trup gjykues ndërkombëtar në Gjykatën Themelore të Mitrovicë për vrasjen e një personi të panjohur në vitin 1998 në mes të fshatit Galicë dhe Dubovc të Vushtrrisë.