Salla e Gatshme për Mbledhjen e Qeverive Kosovë- Shqipëri

Në mbledhjen e tretë të dy qeverive Kosovë-Shqipëri, e cila do të mbahet nesër në Bibliotekën Kombëtare, pritet të nënshkruhen 6 marrëveshje dhe një memorandum bashkëpunimi.

Delegacioni shqiptar do të pritet në pikën Kufitare Vërmicë nga zëvendëskryeministri Kujtim Shala dhe Protokolli i Shtetit.

Delegacioni i Kosovës dhe ai i Shqipërisë në orën 11:00 bëhen bashkë në Bibliotekën Kombëtare, ku do të bëhet edhe  pritja ceremoniale e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa për Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

KALLXO.com ka siguruar fotografi se si do të duket tavolina e mbledhjes së qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë.

Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive pritet të nënshkruhen marrëveshjet për për njohjen e ndërsjellë të certifikatës së testim/kalibrim të tahografit të mjeteve rrugore; marrëveshja për bashkëpunim në mes autoriteteve tatimore dhe doganore të Republikës së Kosovës dhe republikës së Shqipërisë në fushën e hetimeve administrative, hetimeve tatimore dhe doganore; marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Administratës Publike të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shtetit për Inovacion dhe Administratë Publike të Republikës së Shqipërisë për ngritjen e kapaciteteve në realizimin e reformave në fushën e mirëqeverisjes dhe administrimit publik; marrëveshja për krijimin e Qendrës së Përbashkët trajnuese; marrëveshja për Partneritet për bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë; marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Mjedisit të Republikës së Shqipërisë; dhe memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Republikës së Shqipërisë.

Shqiptarët Presin Vepra nga Takimet Shqipëri-Kosovë

Pas kësaj do të ketë konferencë të përbashkët për media nga dy kryeministrat dhe një fotografi e përbashkët e dy delegacioneve jashtë bibliotekës.

Mbledhja e së premtes është e treta me radhë e këtij lloji, pas dy të parave të mbajtura fillimisht në Prizren, dhe më pas në Tiranë.

tavolina1