Salih Mustafës i vazhdohet paraburgimi

Salih Mustafa, i njohur me nofkën e luftës si Komandant “Cali” do të vazhdojë të qëndroj nën masën e paraburgimit në Hagë.

Vendimi për vazhdimin e qëndrimit të tij në paraburgim u mor dje nga gjyqtari Nicolas Guillou.

Guillou pasi shqyrtoi kërkesën e avokatit të Mustafës për lirim nga paraburgimi, ka vlerësuar se akoma ekzistojnë kushtet që i njëjti të mbahet nën këtë masë.

Madje sipas gjykatësit qëndrimi i tij në paraburgim vazhdon të jetë i nevojshëm pasi dhoma e prokurorit të specializuar ka filluar t`i paraqes provat kundër tij.

Sipas këtij vendimi akoma ekziston rreziku që Sali Mustafa të arratiset duke e pasur parasysh faktin se dhomat e specializuara kanë filluar zbulimin e provave.

Përpos shmangies nga drejtësia, sipas gjyqtarit në rastin Mustafa akoma ekziston rreziku i ndërhyrjes në dëshmitar duke e pasur parasysh njohuritë e mëvonshme të tij për provat dhe identitetin e dëshmitarëve.

Po ashtu sipas gjykatës akoma ka rrezik që Komandant “Cali” të kryej ndonjë vepër penale duke e pasur parasysh faktin se ai në qershor të vitit 1999 mburrej publikisht për ekzekutimin e serbëve në një konferencë shtypi.

Guillou në fund vlerësoi se vetmja masë që do të ndalonte Mustafën nga shmangia e drejtësisë vazhdon të jetë qëndrimi i tij në paraburgim.

Sali Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga zyra e prokurorit të specializuar.

Ish komandant “Cali” akuzohet se për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe  dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Sali Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Salih Mustafa deklarohet i pafajshëm në akuzat e Prokurorisë në Hagë