Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj.

Salih Mekaj Shpejt Para Gjyqit

Seanca fillestare e gjykimit të Mekajt, Vlora Goranit dhe dy personave me inicialet M.S. e A. S. mund të zhvillohet së shpejti, ndërsa në të të akuzuarit do të deklarohen se a e ndiejnë veten fajtorë apo të pafajshëm në lidhje me veprat që u ngarkohen.

Sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, kryetari i trupit gjykues e cakton shqyrtimin fillestar brenda 30 ditësh pas ngritjes së aktakuzës nëse të akuzuarit nuk janë në paraburgim, ose brenda 15 ditësh nëse të akuzuarit janë të paraburgosur.

Aktakuza në të cilën ish-kryetari i Apelit akuzohet për keqpërdorim detyre në dy raste, u ngrit nga Prokuroria Speciale e Kosovës në maj të këtij viti.

Prokuroria pretendon se Mekaj njërën nga këto dy vepra penale i kreu kur i premtoi “të pandehurës  Vlora Gorani se do të angazhohet për caktimin e shqyrtimit gjyqësor në dy raste, si dhe ricilësimin juridik të veprave penale, nga veprat penale më të rënda në ato më të lehta, në mënyrë që dy të pandehur në ato raste të lirohen nga paraburgimi”.

Aktakuza e ngarkon Mekajn se pasi i kishte premtuar Goranit këto veprime, “ka kërkuar nga gjyqtarja e njërit rast në fjalë që ta caktojë shqyrtimin gjyqësor në atë lëndë, në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës”.

Në kohën kur u arrestua Mekaj, KALLXO.com siguroi disa shkresa të lëndës penale të tij, nga të cilat u zbulua se Vlora Gorani komunikonte me gjuhë të koduar me burrin e saj të burgosur në Dubravë në lidhje me veprimet që do të kryente ish-kryetari i Apelit.

“Maçorri ka me u pa me atë”. Kjo është porosia të cilën e pandehura Vlora Gorani e dërgonte te burri i saj Fahri D. në qelinë e burgut të Dubravës, shkroi KALLXO.com në korrik të vitit të kaluar.

Prokurorja Drita Hajdari pretendonte se Gorani e kishte emëruar kryetarin e Gjykatës së Apelit Salih Mekajn me nofkën “Maçorri”, ndërsa porosia “që ka me u pa me atë” nënkuptonte se Mekaj do takohej me gjykatësen Lumturie Muhaxheri për të biseduar rreth çështjes së burrit të Goranit, i cili ndodhej në paraburgim për shtytje në vrasje dhe tentim-vrasje.

Nga prokuroria Mekaj akuzohet edhe për “përfitim të kundërligjshëm të dobisë për vete apo personin tjetër, përkatësisht për një të afërm të tij, duke u takuar me një të dëmtuar dhe djalin e tij me qëllim që prej tyre të nxjerrë para borxh në shumë prej 200.000,00 €, duke pretenduar se i dëmtuari i ka borxh të afërmit të tij”.

Në aktakuzë sqarohet edhe pse akuzohet Vlora Gorani.

“Vlora Gorani  me dashje ka shtyrë të pandehurin Salih Mekajn të kryejë veprën penale të Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, me qëllim që përmes tij ta shpejtojë caktimin e shqyrtimit gjyqësor dhe pastaj edhe ricilësimin juridik të veprave penale për të pandehurin M.S. dhe një tjetër të pandehur në një tjetër rast penal,” ishte thënë në komunikatë e prokurorisë me rastin e ngritjes së aktakuzës.

Gorani akuzohet edhe se mori para për t’ia dhënë Sali Mekajt.

“Sipas marrëveshjes paraprake me të pandehurin M.S. e pandehura Vlora Gorani  ka marrë nga i pandehuri A.S.  para në shumë prej 20.000,00€, të cilat ka pasur për t’ia dhënë të pandehurit Salih Mekajt, me qëllim që përmes tij të arrijnë lirimin nga paraburgimi për të pandehurin M.S. dhe një të pandehur në një tjetër rast penal,” thuhet në aktakuzë.

Sali Mekaj u arrestua në korrik të vitit të kaluar.