Sali Zyba Akuzohet për Heqje të Flamurit

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës u zhvillua sot seanca ndaj Sali Zybës, anëtarit të Kryesisë së Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Gjyqtarja Elife Uka ia tregoi të akuzuarit të drejtat dhe obligimet.

Pas kësaj Zyba, duke iu drejtuar gjyqtares tha se nuk e di pse ndodhet në këtë takim.

Gjyqtarja pastaj  e pyeti prokurorin se a e ka plotësuar detyrimin e tij ligjor  për ta pajisur me shkresa të lëndës të akuzuarin.

Prokurori tha se për këtë janë caktuar dhjetë seanca dhe asnjëherë i akuzuari nuk ka marrë pjesë.

Pasi i akuzuari nuk është pajisur me shkresat e lëndës, gjyqtarja mori vendim që kjo seancë të mos mbahej dhe e obligoi prokurorin që ta pajisë Zybën me shkresat e lëndës.

Asistentja e gjyqtares kërkoi nga i akuzuari të nënshkruhet procesi dhe i ofroi një kopje të aktakuzës, por i akuzuari nuk deshi të nënshkruante procesin dhe të pranonte kopjen e aktakuzës.

Seanca e radhës u caktua për datën 22 mars.

Në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com shihet se Zyba akuzohet për largimin e flamurit shtetëror nga shtylla e tij te rrethi afër spitaleve në Prishtinë.

Këtë vepër sipas Prokurorisë Themelore të Prishtinës Zyba e kishte kryer në vitin më 27 nëntor 2013, dymbëdhjetë minuta pas mesnatës.

Prokuroria bën me dije se Zyba atë natë e kishte zhvendosur flamurin shtetëror, duke e lënë në tokë me qëllimin që për 28 nëntorin e atij viti ta vë flamurin kuqezi.

Sipas prokurorisë, Zyba ishte vërejtur nga policia gjatë kryerjes së këtyre veprimeve, për t’u dërguar në Stacionin Jugu të Prishtinës.

Zyba akuzohet për asgjësim, apo dëmtim të pasurisë. Kjo vepër penale dënohet me burgim deri në një vit.

Zyba u arrestua më 29 shkurt në vendin e tij të punës në Komunën e Prishtinës.

Arrestohet Salih Zyba në Kabinetin e Shpend Ahmetit