Foto: Komuna e Gjilanit
Sali Musliu, Fiton Çmimin Blerës të ‘Penelit të Flakës’
Piktori gjilanas, Sali Musliu, që jeton e vepron në Gjermani, është fitues i Çmimit Blerës të “Penelit të Flakës”.
Sipas njoftimi të Komunës së Gjilanit është hapur edhe ekspozita e pikturave që do të qëndrojë e hapur deri në përfundim të manifestimit “Flaka e Janarit”.
Në këtë edicion, sipas organizatorëve ka pasur prurje të shumta, mbi 60 sosh, por që në pamundësi që të ekspozohen të gjitha, një pjesë e tyre nuk kanë mundur të jenë pjesë e kësaj ekspozite.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka rikujtuar kohët kur kjo ngjarje mbahej në galeri alternative e në restorante, që ishin shndërruar në hapësira për ekspozim.
Ai po ashtu ka paralajmëruar se prioritet i tij në të ardhmen do të jetë bërja e Gjilanit me një galeri të mirëfilltë të arteve në një objekt krejt tjetër.
“Ka ardhur koha për të gjetur rrugën, objektin apo edhe që të ndërtohet një galeri e re. Ju siguroj se gjatë këtij viti do të punoj për këtë qëllim”, ka thënë Lutfi Haziri.
Sipas Hazirit, galeria do të jetë institucion publik, por do të udhëhiqet nga Shoqata e Artistëve Figurativë dhe do të jetë në menaxhim të tyre dhe për ta.
Juria profesionale ishte e përbërë nga Rasim Vllasaliu, Ragip Ramadani dhe Sabri Shaqiri.
Fituesit e tjerë këtë viti ishin edhe Luan Shahiqi, Shefqet Abrazhda dhe Avni Behluli.
Sali Musliu gjatë verës ishte pjesë e diskutimeve me të rinjtë kosovarë të organizuara nga organizata “Germin”.