Sahiti: S’kemi Mundësi Financiare për Hulumtime

Shërbimi Gjeologjik nuk ka mundësi financiare për të hulumtuar rezervat e qymyrit në Kosovë dhe për këtë arsye insiston që një mundësi e tillë t’i jepet kompanisë kanadeze ‘Envidity’.

Fidaim Sahiti, kryeshef i Shërbimit Gjeologjik të Kosovës, e pranon se ky shërbim nuk është marrë fare me hulumtimin e rezervave të qymyrit, të cilat, sipas tij, nuk ka dyshime se ekzistojnë.

Sahiti ka përfaqësuar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik në debatin e emisionit ‘Jeta në Kosovë’ rreth kërkesës së kompanisë ‘Envidity’ për të hulumtuar dhe potencialisht shfrytëzuar rezervat e qymyrit në Kosovë.

“Ne mund ta hulumtojmë edhe të gjithë Kosovën… Ka mundësi Shërbimi Gjeologjik ta hulumtojë Kosovën, por nuk ka mjete financiare. Pra kur nuk ka mjete financiare për të hulumtuar duhet t’i krijosh mundësi dikujt tjetër ta hulumtojë sepse është në interes publik për tërë Kosovën”, deklaroi Sahiti.

Ai vlerësoi se përveç barrierave financiare hulumtimet vendase i ndal edhe fakti se ekzistenca e rezervave të qymyrit është evidente.

“Shërbimi Gjeologjik me punën e minierave, me qymyrin nuk është marrë fare sepse thuajse nuk ka dilemë për rezervat e qymyrit në Kosovë. Kemi por nuk i kemi të kalkuluara ose të përcaktuara saktë, të detajizuara”, tha Sahiti.

Emisionin “Jeta në Kosovë“ me titullin “Thëngjilli: Zhvillim apo Zhvatje?” të plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.