Syri i Popullit - Foto: KALLXO.com

Sadri Ramabaja rrëfen takimin me agjentët e AKI-së

Seanca e sotme e gjykimit të anëtarëve të dyshuar të grupit “Syri i Popullit” është përshkuar me tensione mes të akuzuarit Sadri Ramabaja në njërën anë dhe prokurorit dhe të dëmtuarit Azem Vllasi në anën tjetër.

Tensionet u shkaktuan në kohën e dhënies së mbrojtjes nga i akuzuari Sadri Ramabaja dhe prokurori po i parashtronte pyetje.

Kur prokurori Sylë Hoxha e pyeti të akuzuarin rreth kalimit, sipas tij, të kufirit disa herë me dokument të huaj, Ramabaja kërkoi nga prokurori të jetë “i dinjitetshëm” së paku sot dhe “të mos rrëfejë të pavërteta”.

I akuzuari deklaroi se kufirin e kaloi vetëm një herë në vitin 2017 me pasaportën e nipit të tij sepse i ishte bllokuar pasaporta, mirëpo, këtu, sipas tij, nuk kemi të bëjmë me falsifikim.

Më tutje ai theksoi se ai ka vepruar ashtu për shkak të panikut ngase është paralajmëruar më 4 tetor për mundësi të likuidimit.

“Unë më të marrë ftesën për t’u paraqitur në prokurorinë speciale me akuzën, tronditëse për mua, unë kam kërkuar shpjegime nga personalitete të politikës, në mesin e tyre edhe nga vetë Kadri Veseli. Natyrisht edhe të tjerë por nuk dua t’ua përmend emrin”, tha ai.

Arsyeja pse u është drejtuar politikanëve dhe jo organeve të sigurisë, Ramabaja tha se është se “ne jetojmë në Kosovë madje edhe njohësit më të mirë të rrethanave të politikës e kanë të qartë se për fat të keq, politika është ajo e cila e mbivendos drejtësinë, e cila është arsyeja pse unë jam sot këtu”.

Tensionet u acaruan mes prokurorit dhe të akuzuarit kur ky i fundit i tha Sylë Hoxhës “Ke dështuar”, e ai ia ktheu: “Mbylle gojën me këto konstatime të panevojshme”.

Tensione pati edhe mes Ramabajës e të dëmtuarit Azem Vllasit.

Ramabaja tha se “nuk kam pasë ndjenja hakmarrëse as ndaj vëllait tënd që në buzë të vdekjes më ka sjellë” .

Më tutje Ramabaja deklaroi se Vllasi ka qenë në hetuesi në burgun e Gjilanit dhe i ka parë se ishin të shkatërruar. Mirëpo, Vllasi e mohoi këtë.

I pyetur se kush e kërcënonte me likuidim,   Ramabaja deklaroi se është paralajmëruar nga një person i cili është thirrë si oficer i AKI-së, shok me dy studentët e tij të AKI-së. Ai madje shtoi se gjatë paralajmërimit është përmendur edhe rasti i Astrit Deharit dhe vëllezërit Kiqina.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Në këtë rast, i njohur si “Syri i Popullit” të akuzuar janë Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Rexhep Topllana, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha, Lirija Luzha dhe Sadri Ramabaja.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 11 korrik.

https://kallxo.com/ramabaja-deshmon-te-syri-i-popullit-kjo-eshte-hakmarrje-politike/