Sa është i rëndësishëm raportimi i keqpërdorimeve seksuale?

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” mbrëmjen e sotme transmetoi reportazhin për arrestimin e pjesëtarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për keqpërdorim seksual të një të miture.

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka urdhëruar arrestimin dhe ndalimin e një pjesëtari të FSK-së, për keqpërdorim seksual.

Raste të tilla sipas prokurorit Arben Ismajli, duhet të raportohen dhe të evidentohen.

“Keqpërdorimi seksual është kur kryhet vepra penale nën moshën 16 vjeçare. Kjo vepër përmban edhe veprat e tjera siç janë edhe dhunimi, degradimi i integritetit seksual të personave”, tha prokurori Ismajli.

“Po është e rëndësishme që viktimat e dhunës seksuale, t`i inkurajojmë të gjitha viktimat që kanë të bëjnë me abuzimet seksuale, shantazhe e vepra të tjera i inkurajojmë t`i raportojnë”, tha tutje ai.

Sipas Ismajlit secili prokuror është i obliguar ligjërisht që të shqyrtoj provat dhe dëshmitë që japin viktimat dhe dëshmitarët e rasteve të keqpërdorimeve seksuale apo edhe të rasteve të tjera.

“Ne si prokuror të rasteve, kemi obligim ligjor që të shqyrtojmë të gjitha provat”, tha tutje Ismajli.

Prokurori i rastit të arrestimit të pjesëtarit të FSK-së për keqpërdorim seksual tregon edhe se si kishin arritur të zbulojnë veprën penale të të dyshuarit.

“Është arrestuar një person është pjesëtar I FSK-së, fillimisht ai ka paraqit një rast se është rrahur nga disa persona dhe është inicuar një procedurë penale të panjohur për lëndim trupor, mirëpo pas zhvillimit të hetimeve kemi ardhur në përfundim se pas këtij rasti qëndron edhe diçka tjetër. Pas intervistimit të personave, të tjerë kemi ardhur në përfundim se kemi të bëjmë me veprën penale për keqpërodim seksual”, tregon prokurori Ismajli.