Sa banorë dhe sa votues ka Shqipëria?

Në listat e votuesve për zgjedhjet e sotme gjenden 3.5 milionë banorë nga një popullsi me shtetësi shqiptare prej 4.5 milionë vetësh. Nga këto, vetëm 2.8 milionë vlerësohet se banojnë në Shqipëri.

Regjistri civil mbart të gjithë shtetasit shqiptarë që janë gjallë, pavarësisht nëse jetojnë në Shqipëri apo jashtë Shqipërisë. Në 1 janar 2019, në këtë regjistër gjendeshin 4.5 milionë banorë.

Shqiptarët që kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare nuk gjenden në këtë regjistër, ndryshe nga ata me dyshtetësi. Ju mund të shikoni numrin e popullsisë së gjendur në regjistrin civil sipas bashkive duke klikuar këtë link.

Bashkia e Tiranës kishte në fillim të këtij viti 828 mijë vetë në regjistër, pasuar nga Bashkia Durrës, 323 mijë dhe Elbasan, 212 mijë. Bashkia më e vogël sipas popullsisë është Pusteci me 5186 banorë, ndërsa më pas vjen Libohova me 7 mijë dhe Fushë Arrëzi me 11 mijë.

Krahas të dhënave të Regjistrit Civil, Instituti i Statistikave publikon një vlerësim të popullsisë rezidente, e cila është më e vogël se sa ajo e regjistrit. Vlerësimi mbi popullsinë rezidente 2019  bazohet në të dhënat mbi popullsinë rezidente 2011, plus numri i lindjeve gjatë këtyre viteve, minus numri i vdekjeve si dhe një vlerësim mbi numrin e popullsisë së larguar në emigrim dhe asaj të kthyer nga emigrimi.

Në nivel kombëtar, vlerësimi i INSTAT është që popullsia rezidente në janar të këtij viti ishte 2.86 milionë banorë ose mbi 1.6 milionë vetë më pak se sa popullsia në regjistër civil.

INSTAT bën vlerësim të tillë për popullsinë në nivel qarku dhe jo në nivel bashkie. Gjithsesi, një krahasim i të dhënave të regjistrit civil me të dhënat e vlerësuara nga INSTAT paraqet këtë situatë:

Popullsia e qarkut Tiranë, ku bëjnë pjesë bashkitë Tiranë, Kamëz, Vorë, Kavajë e Rrogozhinë, sipas regjistrit civil është 1.13 milionë banorë, ndërsa sipas vlerësimit të INSTAT për popullsinë rezidente është 895 mijë.

Ndërsa qarku Durrës ka një popullsi prej 452 mijë personash sipas regjistrit civil dhe 290 mijë persona sipas vlerësimit të INSTAT. (reporter.al)