Ilustrim

Rusi, së Paku 50 të Vdekur nga Virusi H1N1

Së paku 50 persona kanë vdekur nga virusi H1N1 i gripit të derrit në Rusi që nga fillimi i dimrit sipas një llogaritje të bërë nga AFP, bazuar në deklaratat e autoriteteve rajonale.

Sipas agjencisë franceze të lajmeve, përhapja e virusit ka marrë hov dhe po përhapet në tërë Rusinë.

Autoritetet shëndetësore të rajonit Rostov-na-Donu (jug), i kanë thënë agjencisë publike ruse të lajmeve “Ria Novosti” se edhe dy persona kanë vdekur, duke e ngritur në tetë në total numrin e të vdekurve nga ky grip në rajon.

Në rajonin fqinj Volgograd, autoritetet kanë njoftuar për së paku 11 persona të vdekur pasi janë prekur nga gripi i derrit.

Sipas AFP-së, rasti i parë me të vdekur është regjistruar këtë javë në gadishullin e Krimesë, i aneksuar nga Rusia në mars të vitit 2014.

Këto raste pasojnë vdekjen e katër të rriturve dhe të një fëmije në Dagestan, në Kaukazin rus, dhe vdekjen e dy të sëmurëve në Ekaterinburg (qendër) dhe në rajonin jugor Adige, më herët, javën e kaluar.

Raste me vdekje nga gripi i derrit janë regjistruar edhe në rajonin perëndimor Briansk, në atë jugperëndimor Belgorod dhe në Vladimir, 200 km në lindje të Moskës.

Ministrja ruse e Shëndetësisë, Veronika Skvortsova, ka deklaruar më herët gjatë javës se epidemia e gripit të derrit në vend është “tërësisht nën kontroll”, raporton AFP.

Po ashtu, 18 persona kanë vdekur nga virusi H1N1 në Armeni që nga fillimi i vitit, kishte njoftuar javën e kaluar Ministria e Shëndetësisë e këtij vendit të Kaukazit Jugor.

Në Gjeorgjinë fqinje, autoritetet kanë treguar për Agence France Presse për tri raste që kanë përfunduar me vdekje.

Më 2009, pas disa rasteve të deklaruara në Shtetet e Bashkuara dhe në Meksikë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), kishte ndezur alarmin për pandemi.

Gripi A (H1N1) ka mbytur 18.500 persona në 214 vende deri më 2010, kur OBSH ka hequr alarmin.