Berat Rukiqi - Foto: REL

Rukiqi: Të ndryshohet ligji i prokurimit publik për shpalljen e tenderëve

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka reaguar në lidhje tenderit publik të AQP ku parashiheshin të bliheshin produkte serbe dhe jo vendore.

Ai ka thënë se duhet ndryshuar ligji i prokurimit publik duke bërë që oferta fituese në kushte të barabarta ofertimi të ketë numër më të madh të prodhimeve vendore.

“10 vite me radhë është kërkuar që në tenderët publik të favorizohen prodhimet vendore, pra në kushte dhe kritere të barabarta, të ketë një diskriminim pozitiv për prodhimet vendore. Vendimmarrësit janë arsyetuar që kjo nuk mund të behët, pasi që nuk është në harmoni me procesin e integrimeve evropiane”, ka shkruar Rukiqi.

“Në të njëjtën kohë, kur ne propozonim këtë favorizim të prodhimeve “Made in Kosova”, “Buy American”, ka qenë zyrtarisht politikë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si masë stimuluese për ekonominë amerikane në vitet pas krizës të vitit 2008, e cila ka rezultuar me dhjetëra mijëra vende të reja të punës. Si mund të bëhet kjo në praktikë: E ndryshojmë ligjin për prokurim publik, duke mundësuar që në të gjithë tenderët publik, në kushte të barabarta të ofertimit (çmimi, cilësia, konformiteti), ofertë fituese është ajo që ka përmbajtje të prodhimeve të prodhuara në Kosovë. Me këtë dispozitë lejohet konkurrenca e barabartë, ruhet konkurrentshmëria e çmimeve, shtohet vlerë në ekonomi, zvogëlohet eksporti i parasë të gatshme, rritet besimi për prodhimet e vendit”, ka shkruar Rukiqi.