Kryetari i OEK, Berat Rukiqi, Foto: Kallxo.com

Rukiqi: Presioni ekonomik përmes masës tregtare mund të jetë i mirëpritur

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovë (OEK), Berat Rukiqi e ka komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës prej 10 % për disa produkte që prodhohen nga Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina, duke thënë se një presion ekonomik përmes masës tregtare mund të jetë i mirëpritur.

Rukiqi ka thënë për KALLXO.com se edhe në të kaluarën duke parë mos zbatimin nga ana e Serbisë të shumë marrëveshjeve ndërkombëtare ai ka shprehur qëndrim që Kosova duhet të lëvizë drejt një presioni ekonomik në raport me Serbinë.

“Kërkesa ime ka qenë që të trajtohet mundësia që duke ditur rëndësinë që ka tregu i Kosovës për produktet serbe atëherë të shikohet mundësia që ndoshta një presion ekonomik me një lloj takse që mund ta ketë një emër, apo një tjetër por së paku që tenton me iu përgjigj destruktivitetit të shtetit serb mund të jetë edhe e mirëseardhur”, ka thënë Rukiqi për KALLXO.com.

Ai është përgjigjur edhe në lidhje me reagimet që mund të vijnë me bizneset kosovare që janë importues të mallrave nga Serbia dhe Bosnja.

Rukiqi ka deklaruar se ai nuk ka marrë dhe nuk pret reagime negative prej këtyre bizneseve për shkak se ka një interes nacional dhe sigurisht që në këtë interes nacional edhe bizneset janë më racionale në kërkesat e tyre.

“Unë prapë edhe në kushte të tanishme me 12 përqind të taksës doganore produktet serbe janë mjaft konkurruese duke qenë ndër të parat që kanë dominuar tregun e vendit dhe kanë krijuar një pozicion mjaft të favorshëm konkurrues. Kështu që nuk pres reagime nga bizneset tona sa i përket kësaj takse pasi që po shihet që ka një interes të caktuar shtetëror i cili duhet të ndërrohet nga të gjithë”, është shprehur i pari i OEK-ut për KALLXO.com.

Berat Rukiqi ka thënë se praktikat e mëhershme të vendeve të tjera kanë treguar se përdorimi i masave të caktuara ekonomike e tregtare mund të jap efektin e vet.

“Në të kaluarën praktikat e vendeve të tjera tregojnë që ndonjëherë përdorimi i masave të caktuara ekonomike, administrative edhe mund të arrijë presionin nga brenda, për shembull në këtë rast në qeverinë serbe për të qenë sidomos respektuese e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe duke e ditur që ne kemi shumë pak mekanizma të cilët munden me detyru respektimin e këtyre marrëveshjeve prandaj edhe mekanizmat e tillë, mekanizmat ekonomik, tregtar edhe mund ta japin efektin e vet, jo vetëm në Serbi por edhe në vendet e tjera”, ka përfunduar Rukiqi.

https://kallxo.com/kosova-vendos-mase-tregtare-ndaj-produkteve-te-serbise-dhe-bosnjes/

 

.