Kryetari i ri i OEK, Berat Rukiqi, Foto: RTV 21

Rukiqi: Dorëheqja e Haradinajt do të ketë ndikim negativ te bizneset

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë dorëheqja e kryeministrit Haradanaj do të ketë ndikim negativ tek bizneset.

“Nuk ka vendim politik që nuk ka ndikim në biznes”, ka theksuar Rukiqi pas dorëheqjes se Haradinajt nga posti i kryeministrit me arsyetimin se është thirr si i dyshuar nga Gjykata Speciale.

Kreu i OEK-ut ka thënë se beson se do të ketë bashkëpunim të mirë me institucionet pas dorëheqjes së kryeministrit. Por sipas Rukiqit, dorëheqja e tij shkakton ngecje të shumë çështjeve të rëndësishme për bizneset.

“Kjo shkakton ngecje sepse kanë qenë ligjet më të rëndësishme tatimore në procedurë, ka pas shumë aktivitet sa i përket rregullimeve në sektorë të ndryshëm, për shembull në fushën e energjisë, kemi pas fokus më të madh te informaliteti, ky zhvillim politik do të jetë një pauzë për këto çështje”, ka thënë Rukiqi.

Më tej ai ka thënë se gjithmonë analizat e të kaluarës kanë treguar se kur ka pas dorëheqje apo rënie të qeverisë, ka pasur edhe rënie të profitabilitetit te bizneset dhe investimeve të huaja direkte.

“Besojmë që as kësaj here nuk do të jetë ndryshe”, është shprehur Rukiqi.

Rukiqi ka shprehur keqardhje për kryeministrin Haradinaj i cili është ftuar nga Gjykata Speciale.

“Ne shprehim keqardhje për rastin që po i përsëritet kryeministrit Haradinaj. Ne kemi pas bashkëpunim të mirë me të dhe kur dihet që do të përballet prapë me drejtësi ndërkombëtare e në rastin e Kosovës ka një ndikim negativ sepse ne besojmë që e gjykon një luftë të drejtë. Besoj se secili nga ta do ta mbrojë në mënyrën më të mirë luftën”, ka theksuar Rukiqi.

Sa i përket taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, Rukiqi ka thënë se “rrethanat që janë nuk janë në favor të taksës, Qeveria e re që vjen vendos nëse do ta heq taksën apo jo”.