Homazhet te varri i Rugovës | Foto: KALLXO.com

Rugova si Shembull deri në Formësim të Plotë të Shtetit

Te varri i Ibrahim Rugovës janë përkulur sot zyrtarë të lartë të LDK-së, mes tyre edhe kryetari dhe Kryeministri Mustafa.

Mustafa gjatë fjalës së tij pas homazheve, Rugovën e quajti arkitekt të pavarësisë.

“Unë sot jam me veprimtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të vënë lule tek presidenti Rugova në shenjë të 9 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, te arkitekti i Pavarësisë së Republikës së Kosovës, njeriu i cili ka punuar shumë edhe në fazën e përgatitjeve për shpalljen e pavarësisë edhe në luftën për liri dhe pavarësi të Republikës së Kosovës, por edhe në ndërtimin e institucioneve të Kosovës sa ishte gjallë”, tha Mustafa.

Sabri Hamiti, nënkryetari i LDK-së dhe Kuvendit te varri i Rugovës kujtoi thënien e ish-Presidentit “Shtëpia nuk bëhet pa miq” që Ibrahim Rugova e tha kur mori Çmimin “Saharov” në vitin 1998.

Hamiti deklaroi se Rugova do të jetë udhërrëfyes i politikës dhe marrëdhënieve me të tjerët.

“Përderisa ky shtet të marrë tratën e tij të vetëmjaftueshme si ekzistencë edhe si organizim, kemi Rugovën si burim të ideve dhe të praktikave të punës publike politike edhe të raporteve me të tjerët”, tha Hamiti.

Ibrahim Rugova, Presidenti i parë i Kosovës i njohur ndërkombëtarisht vdiq më 21 janar 2006, dy vjet para se Kosova të shpallej shtet.

Varri i tij vizitohet gjithnjë në ditë të shënuara të shtetit, por edhe në përvjetorët e lindjes dhe vdekjes.

http://kallxo.com/kujtohet-ibrahim-rugova-si-njeri-dhe-lider/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri