Ruçi: Problemet e Vizave nuk Zgjidhen Shqiptarë me Shqiptarë

Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Gramos Ruçi  komentoi kërkesën e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi që Shqipëria të lëshojë pasaporta shqiptare për qytetarët e Kosovës.

Këtë koment ai i bëri në vizitën e tij tek Kryeministri Ramush Haradinaj në vazhdën e vizitave që sot i bëri institucioneve të Kosovës.

I pyetur nga KALLXO.com lidhur me kërkesën e Thaçit, Ruçi bëri thirrje që të pritet liberalizimi i vizave për Kosovën.

“Unë mendoj që Kosova i plotësuar të gjitha rekomandimet që ka bërë BE për liberalizimin e vizave dhe të gjithë ne bashkë duhet të kërkojmë që ky proces të bëhet realitet, për të mos u zgjidhur shqiptar me shqiptar por  me partnerët tanë ndërkombëtar, me BE-në që liberalizimi i vizave të bëhet një realitet i vërtetë për qytetarët kosovarë”, tha Ruçi.

Ai gjithashtu foli lidhur me çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi që për Kosovën është bërë kusht për liberalizim të vizave.

“Do të bëjmë gjithqka që të gjitha barrierat që ekzistojnë tani.. unë deklarova se inkurajojmë të gjithë spektrin politik që edhe çështja e demarkacionit është vendosur tashmë të zgjidhet”, shtoi ai.

Presidenti Thaçi kishte bërë kërkesën homologut të tij nga Shqipëria,Ilir Meta për paisje me pasaporta shqiptare në tetor të këtij viti.

Meta po ashtu kishte thënë se nuk sheh zgjidhje tek kjo ide.

http://kallxo.com/meta-pasaportat-shqiptare-nuk-jane-zgjidhja-per-qytetaret-e-kosoves/

I ardhur në Kosovë për herë të parë në cilësinë e kryetarit të Kuvendit shqiptar, Ruçi është pritur nga homologu i tij kosovar Kadri Veseli me të cilin tha se janë pajtuar për ngritjen e një komiteti të përbashkët deputetësh për t’i adresuar këto çështje.

http://kallxo.com/gramos-ruci-doganieret-te-mos-ua-nxijne-jeten-biznesmeneve/

Pas takimit me Veselin, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë është takuar edhe me Presidentin Hashim Thaçi nga i cili është dekoruar me “Urdhrin e Lirisë” me motivacion “për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.