Zgjedhjet | Foto: Atdhe Mulla

RTK: Zgjedhjet e jashtëzakonshme më 8 shtator

Radio Televizioni Publik i Kosovës ka raportuar se zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen më 8 shtator.

Sipas këtyre burimeve të RTK-së, Presidenti Thaçi ka vendosur që, në përputhje me afatet kushtetuese e ligjore, të shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme e të cilat do të mbahen me 8 shtator.

Sipas interpretimeve ligjore, zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të mbahen jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë. Por, kjo vlen për datën pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Këtë herë nuk kemi të bëjmë me konstituimin të ri të Kuvendit, prandaj nuk është e qartë nëse këto afate vlejnë edhe për këto rrethana.

Ramush Haradinaj, të premten, më 19 korrik ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, pasi që ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale për tu intervistuar si i dyshuar.

Ai kishte deklaruar se në Hagë dëshiron të shkoj si Ramush Haradinaj, e jo si kryeministër.

Haradinaj i ka bërë thirrje presidentit Hashim Thaçi që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.

Përveç Haradinajt, zgjedhjet i kanë kërkuar të gjitha partitë e tjera në Kosovë.