RTK Kërkon Qartësim të Financimit dhe Pronës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nisur procesin e konsultimeve për hartimin e një ligji për Transmetuesin Publik të Kosovës (RTK) me anë të një takimi të Komisionit Parlamentar për Media me përfaqësues të RTK-së dhe grupe të interesit.

Në këtë takim, kryetarja e Bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi, tha se bordi dhe menaxhmenti i kanë identifikuar nevojat e këtij transmetuesi për të siguruar një financim të sigurt.

“Përmes financimit nga buxheti i shtetit do të garantohej financimi i sigurt. Kjo formë nuk do ta rrezikonte pavarësinë editoriale”, tha Maliqi.

Sipas saj, në financim duhet të futet edhe parapagimi me anë të faturave të rrymës, si formë e kombinuar meqë “kjo formë mundëson pavarësinë editoriale dhe llogaridhënien e drejtpërdrejtë ndaj publikut”.

Duke folur për pronën, Maliqi tha se Ministria e Administratës Publike e ka ndarë pronën për RTK-në ndërsa kërkoi nga Kuvendi që kjo pronë të përfshihet në ligj.

Ajo kërkoi që në kuadër të RTK-së të përfshihet edhe një kanal i pestë i cili do ta përcillte punën e Kuvendit të Kosovës më intensivisht përfshirë edhe transmetimin e mbledhjeve të Komisioneve.

Edhe Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala, kërkoi qartësim të mënyrës së financimit për RTK-në.

“Ligjit të ri duhet t’i ndërrojë edhe emri se tash është transmetues publik se tash kemi edhe media online. 60 deri 70 për qind ligji slloven mund të përshtatet për transmetuesin publik (të Kosovës)”, tha Shala.

Ndërsa Fadil Hoxha nga Sindikata e Pavarur e RTK-së tha se duhet të ketë një organ mes Kuvendit dhe Bordit në mënyrë që t’i pamundësohet Kuvendit, si organ politik, që të vendosë për RTK-në.

Sipas tij, në këtë organ do të duhej edhe përfshirja e shoqërisë civile.

Ai akuzoi edhe deputetët për ndërhyrje në çështje të RTK-së.

“Ka pasë deputetë ku familjarit të vet ja ka dhanë një emision me vlerë qindra mijëra euro. Ka pasë kryetar të komunave që në listë i ka shti familjarët e vet.

Ndërsa Gëzim Bimashi nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, përmendi borxhet e transmetuesit publik.

“Shpresoj që keni m’i gjetë paret për me ndërtu objektin e ri dhe me i largu borxhet. Është koha e fundit nëse mendoni me shpëtu RTK-në”, tha ai.