Naim Rexha, ushtrues i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës-Foto: Equal Rights for All Coalition/Facebook

Rrugëtimi i Naim Rexhajt drejt kreut të policisë

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni javën e kaluar la postin në PK për të udhëhequr po të njëjtën pozitë në Agjencinë Kosovare për Inteligjencë.

Sipas Ligjit për Policinë, neni 39 paragrafi i 3 thotë se “Në rastet e lirimit, shkarkimit apo suspendimit të Drejtorit të Përgjithshëm, kryeministri menjëherë emëron njërin nga Zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm si ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm”.

Pozitën e drejtorit të PK-së tani për tani është duke e mbajtur Zëvendës Drejtori, Naim Rexha.

Naim Rexha karrierën e tij në Policinë e Kosovës e ka filluar që nga viti 2002, fillimisht si zyrtar policor patrullues, e më pas vazhdoi me angazhimet në sektorët e ndryshëm në kuadrin e stacionit policor Veriu në Prishtinë, ku punoi deri në fund të vitit 2004.

Në vitin 2004 u promovua në gradën rreshter, në vitin 2005 u caktua të punoj në Drejtorinë e përgjithshme të policisë si shef i sektorit për zhvillim, në vitin 2006 u caktua drejtor i drejtorisë për planifikim dhe zhvillim, në vitin 2007 u promovua në gradën nënkolonel dhe u caktua kryesues i departamentit për çështje të komunitetit, në vitin 2010 ai u caktua kryesuesi i departamentit të sigurisë publike, ndërsa në pozitën e shefit të stafit të drejtorit të përgjithshëm u caktua në qershor të vitit 2011, në shkurt të vitit 2012 u emërua në ushtrimin e detyrës së ndihmësdrejtorit të përgjithshëm për personel dhe trajnime, ndërsa në 2012 u emërua Zëvendësdrejtor i përgjithshëm i policisë për operativë.