Rrugëtimi drejt lirisë i Xhabir Zharkut

Gjykata e Ferizajt ka vendosur që të ndalë ekzekutimin e dënimit me burgim ndaj ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku për shkak të parashkrimit absolut të ekzekutimit të dënimit.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësja e Gjykatës së Ferizajt, Albënora Bekteshi.

“Gjykata më 11 maj 2018, me aktvendimin e evidentuar si: ED.nr.30/12, bazuar në dispozitën e nenit 92 paragrafi 1 nën paragrafi 6 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës (KPPK-së), ka ndaluar ekzekutimin e dënimit me burgim ndaj të pandehurit Xhabir Zharku, për shkak të parashkrimit absolut të ekzekutimit të dënimit”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses.

Sipas zëdhënëses së Gjykatës, përmes këtij vendimi janë tërhequr edhe urdhëresat për sjelljen me dhunë ndaj Xhabir Zharkut, të dënuar për veprën penale të detyrimit dhe armëmbajtjes pa leje dhe ishte dënuar me 3 vjet burgim.

“Përmes këtij vendimi Gjykata ka tërhequr urdhëresat për sjelljen me dhunë ndaj të pandehurit drejtuar Stacionit Policor në Kaçanik dhe letër – rreshtimit ndërkombëtar”, tha Bekteshi.

Në përgjigjen e pranuar nga Gjykata e Ferizajt përshkruhet në detaje i gjithë procesi pas shpalljes së Xhabir Zharkut fajtor për veprat që i viheshin në barrë:

Më 3 tetor 2012, Gjykata Komunale në Kaçanik ka pranuar propozimin për ekzekutim  të dënimit me burgim P.nr.57/10 të datë 19.shtator 2012, nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë.

Më 24 tetor 2012, Gjykata ka ftuar të pandehurin që të paraqitet në gjykatë për vuajtjen e dënimit, ndërsa më 13 dhjetor 2012 është lëshuar urdhëresë për sjellje me dhunë.

Më 14 dhjetor 2012, Drejtoria Rajonale e Policisë Ferizaj ka njoftuar Gjykatën se i pandehuri sipas familjarëve të tij nuk gjendet në shtëpi dhe i njëjti sipas informatave të tyre mund të gjendet ne shtetin e Suedisë.

Më 9 janar 2013 Gjykata Themelore Ferizaj – Dega Kaçanik, i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë në Prishtinë – Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (DBJN), me kërkesë për lëshimin e Letër Rreshtimit Ndërkombëtar.

Më 25 mars 2013, Gjykata është njoftuar nga Ministria e Drejtësisë – DBJN, se ekstradimi i të pandehurit nga shteti i Suedisë në Kosovë nuk mund të realizohet pasi i njëjti ka edhe shtetësinë suedeze.

Më 29 prill 2013 Gjykata ka kërkuar nga DBJN – Ministria e Drejtësisë që ekzekutimi i dënimit me burgim të bëhet në shtetin e huaj përkatësisht të Suedisë.

Më 12 prill 2016 Gjykata ka pranuar përgjigjen e autoriteteve suedeze se nuk ekziston marrëveshje mes Kosovës dhe Suedisë që ekzekutimi i dënimi të transferohet ndërmjet këtyre shteteve dhe në mungesë të marrëveshjes dënimi me heqje lirie sipas dispozitave të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar i shqiptuar nga një gjykatë  e huaj ndaj një shtetasi suedez, mund të ekzekutohet nëse i dënuari jep pëlqimin që ekzekutimi i dënimit të bëhet në Suedi. Ndërsa në këtë rast i pandehuri, nuk ka dhënë pëlqimin që ekzekutimi i dënimit të bëhet në Suedi, dhe për këtë autoritetet suedeze kanë konstatuar se nuk ekzistojnë parakushtet për transferimin e ekzekutimit të dënimit në shtetin e Suedisë.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar lidhur me ecurinë e këtij procesi gjyqësor ndërsa raportimet mund t’i gjeni në këtë link.