Rruga që Bëhet Lumë kur ka Reshje

Zeqir Berisha, përfaqësues i Babovcit tregon vështirësitë e banorëve të fshatit sidomos dimrit kur rruga shndërrohet në lumë.

“Rruga është e pakalueshme kur ka vërshime, rruga është shumë e dobët. Na kanë premtu për me shtrue deri më tash asgjë s’ka. Dimrit kur bjen borë është e pamundshme me dalë deri në Ratkovc. Nxansat jesin për pa shkue në shkollë, detyrohen mu nalë, me mungue. Nëse shkojnë nuk mujnë me u kthy, detyrohen me bujt në Ratkovc apo diku tjetër se rruga është shumë e pakalueshme,” thotë Zeqir Berisha.

Gjatë stinës së dimrit sipas Berishës banorët nuk mund të lëvizin nëpër këtë rrugë edhe kur kanë nevojë për mjek.

“Ndodh që as te mjeku nuk mujna me shkue kur ka borë, kur ka vërshime, qeshtu nuk jetohet këtu,”ankohet Berisha.

Ai thotë se kjo rrugë nuk është aq e gjatë sa për të mos u rregulluar kaq gjatë dhe për të shkaktuar gjithë këto probleme.

“Ka nevojë dy ura me i ba dhe me u shtru deri në Babovc që është dy kilometra e dyqind metra, rrugë ma të dobët nuk e di që ka në Kosovë,” thotë Berisha.

Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike Komunale në Komunën e Rahovecit Muhamet Behra thotë se kjo rrugë do të rregullohet sivjet.

“Është e vërtetë që rruga është në gjendje jo të mirë, komuna jonë për vitin 2016 ka planifiku që të rregullohet rruga në relacionin e fshatit Ratkovc-Babovc,” thotë drejtori Behra.