Rruga me Gropa në Fshatin me Asfalt

Banorët e lagjes Bukavishtë të Fshatit Brus të Lipjanit ankohen kur flasin për KALLXO.com se rruga me gropa po ua vështirëson qarkullimin me vetura.

Xhavit Gashi nga kjo lagje thotë se rruga në gjendje të dëmtuar është që nga viti 2010, ndërsa dyshon se ajo nuk po asfaltohet për inate politike.

“Është ndertuar rruga për fshatin Brus, por mjerisht kjo lagje është anashkaluar nga ana e komunës,kjo mund të jetë për inate partiake” tha Xhavit Gashi për KALLXO.com.

Simon Gashi, një banor tjetër i kësaj lagjeje thotë se më së vështiri e kanë kur dikush sëmuret.

“Në krah duhet me qit [të sëmurin]deri te shkolla, te rruga kryesore se s’mundesh me dalë, rruga kryesore është krejt gropa”, tregon Simon Gashi.

Ndërsa Xhavit Gashi thotë se është ankuar për gjendjen e rrugës në Komunën e Lipjanit dhe institucione tjera, por ka marrë përgjigje vetëm nga njëri prej institucioneve.

“Mjerisht përgjigje kam marrë vetëm prej Ombuspersonit dhe e kam vendimin e tyre,prej të tjerëve asnjëherë nuk kam marrë përgjigje zyrtare, sepse unë gjithmonë kam bërë kërkesë zyrtare,apel, por mjerisht nuk kam marrë përgjigje” tha Gashi.

Elez Gashi që udhëton çdo ditë nëpër rrugën e lagjes Bukavishtë të fshatit Brus, thotë se familjet po largohen nga këtu për mungesë të asfaltimit të rrugës.

“Marre është për një komunë mos me ardhë kurrë me na vizitu, kanë thanë që nuk ka banorë,banorët janë krejt ktu,janë njerëz që punojnë tokën dhe mbesin gjallë prej këtij vendi,ata i kanë detyru me dalë me qira për shkak të rrugës që nuk kanë çka me bo,qysh me mrri ktu, as me traktor nuk kalohet, se jo me kerr” u shpreh Gashi.

Zyrtarë të Komunës së Lipjanit bëjnë me dije se asfaltimin e rrugës në lagjen Bukavishtë të fshatit Brus e kanë paraparë me buxhetin e vitit të ardhshëm.

“Rruga e lagjes Bukuvishtë në fshatin Brus është planifikuar në buxhetin e vitit 2018 të ndërtohet, por buxheti për vitin 2018 nuk është aprovuar në Kuvendin Komunal.Në fshatin Brus janë ndërtuar rrugë kryesore dhe disa të lagjeve- prioritet u janë dhënë rrugëve dhe lagjeve që kanë më shumë banorë”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Lipjanit.

KALLXO.com ka shkruar më herët edhe për një rrugë të harruar nga komuna në Krushë të Madhe të Rahovecit.

http://kallxo.com/lagjja-qe-menjanohet-nga-komuna-e-rahovecit/

Edhe banorët e një lagjeje në Pejë u ankuan në KALLXO.com për gjendjen e keqe të saj,

http://kallxo.com/banoret-ankohen-per-rrugen-e-prishur-ne-peje/

KALLXO.com shkroi edhe për zgjidhjet kreative që qytetarët u bënë nga mllefi gropave në rrugë.

http://kallxo.com/qytetaret-mbjellin-pisha-ne-gropat-ne-rruget-e-dragashit/

http://kallxo.com/pyllezimi-i-asfaltit-kryen-pune-gropat-ne-rruge-pritet-te-mbushen/