Rruga Gjilan- Ferizaj Merr Emrin e Birit të Joe Biden

Qeveria e Kosovës ka vendosur që ta nderojë Beau Biden, birin e ndjerë të Zëvendës Presidentit të SHBA-ve Joe Biden, duke e pagëzuar një pjesë të rrugës Gjilan- Ferizaj me emrin e tij.

Beau Biden i cili vdiq në maj të vitit të kaluar nga një sëmundje e rëndë, ka shërbyer në Kosovë në kuadër të një misioni amerikan.

Emrin e tij do ta bartë rruga e cila çon te baza ushtarake amerikane në Kosovë, Bondsteel.

“Në Qeveri vendosëm që rruga Ferizaj-Gjilan afër fshatit Sojevë dhe bazës kryesore Amerikane në Kosovë, Bondsteel, të emërtohet Beau Biden. Beau ka kontribuar në paqen, sigurinë dhe drejtësinë në Kosovë dhe në misione paqeje dhe demokracie edhe në vende tjera”, tha kryeministri Isa Mustafa në mbledhjen e sotme të qeverisë.

“Babai i Beau, Zëvendës Presidenti Amerikan, Joe Biden, do të jetë krenar me veprën e tij edhe pse iku në moshë të re. Jemi krenar me miqësinë permanente të Kosovës me SHBA”, tha Mustafa.