Rruga e 400 Aksidenteve Brenda Një Viti

Rrallë kalon ndonjë ditë që Afërdita Bogujevci të mos e shohë një aksident afër lokalit ku punon.

E në ndonjë prej ditëve, ajo ka mundur të shohë edhe dy apo më shumë aksidente.

As dhjetë metra larg një mbikalimi në Fushë Kosovë, rreth 400 aksidente trafiku janë shënuar vetëm gjatë vitit të kaluar.

“Jam në dijeni për aksidentet sepse po i shoh për çdo ditë. Këtu punoj. Shumicën e rasteve këmbësorët janë të papërgjegjshëm por edhe vozitësit nuk i respektojnë rregullat”, thotë Bogujevci.

Ajo shprehet se edhe pse është ndërtuar mbikalimi për këmbësorë, ai nuk përdoret.

“Dembelia, mbikalimi është por për shkak se pritojnë shumicën e rasteve njerëzit për 20- 30 metra me shku deri te mbikalimi”, tha ajo.

Pak metra larg vendit të aksidenteve është shkolla “Mihal Grameno”.

Drejtori Ismet Gashi thotë se rreziku është te nxënësit e kësaj shkolle dhe se ka pasur një rast para katër viteve kur katër vajza të vogla të kësaj shkolle janë aksidentuar nga një veturë.

“Sa i përket shkollës sonë ndoshta është mungesë e përgjegjësisë së nxënësve të cilët e kalojnë rrugën vend e pa vend”, tha Gashi.

Ai shtoi se mbikalimi të cilin kanë bërë kërkesë që të ndërtohet, nuk përdoret dhe se përtacia e fëmijëve për të kaluar në mbikalim po i ‘shtyen’ ata që ta rrezikojnë jetën e tyre duke kaluar nëpër rrugë kryesore aty ku edhe po ndodhin aksidentet.

“Unë kisha thënë se problemi është te të dy palët, por është edhe një përgjegjësi te prindërit është përgjegjësi edhe e shkollës sepse nuk dua ta anashkaloj vetëveten, por në këtë kuptim do të kisha shtuar përgjegjësinë edhe te policia të paktën ata t’i menaxhojnë një ose dy muaj deri sa nxënësit dhe kalimtarët të vetëdijesohen”, shtoi Gashi.

Statistikat e Policisë thonë se vitin e kaluar tri aksidente kanë qenë me fatalitet, 276 kanë qenë me dëme materiale, 95 me lëndime trupore, nëntë me lëndime të rënda ndërsa për shtatë aksidente tjera nuk dihen arsyet.

Ministria e Infrastrukturës thotë se është kujdesur që rruga ta ketë sinjalizimin e duhur.

“Kur bëhet fjalë për aksidentet rrugore, Ministria e Infrastrukturës vazhdimisht kujdeset për sinjalizime të mjaftueshme, si ato vertikale ashtu edhe ato horizontale”, thuhet në përgjigjën e Ministrisë së Infrastrukturës.