Rrufeja Plagos 15 Persona

Të paktën 15 vetë janë plagosur, dy prej tyre në gjendje të rëndë, nga rrufeja që ra mbrëmë mbi një festival muzikor në verilindje të Francës, thonë zyrtarët.

Rrufeja goditi disa zona të Festivalit “Vieux Canal”, në qytezën Azerailles, njoftoi këshilli rajonal përmes një deklarate.

Në mesin e të plagosurve ka edhe fëmijë të cilët ishin në një tendë gjatë stuhisë.

Një grua rreth të 60-ave dhe një burrë i moshës 44 vjeç raportohen të jenë në gjendje kritike, si pasojë e plagëve të marra nga rrufeja, transmeton rtv21.tv.

Pjesë të ndryshme të Francës, gjatë kësaj periudhe të vitit vihen shpeshherë në alarm nga stuhitë e dhunshme.

Të plagosurit në incidentin e fundit morën ndihmën e parë mjekësore nga ekipet e emergjencës së festivalit, përpara se të transportoheshin nëpër spitalet lokale. /21Media