Rrjeti i Grave: Deputetja Brovina nuk ka kontribuar në arritjen e drejtësisë përmes veprimit të saj

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar pas publikimit të fotografisë që dëshmon dhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë, duke kërkuar që mediat ta largojnë fotografinë si dhe deputetëve që të kërkojnë llogari nga gjykatat vendore dhe ndërkombëtare për këtë dëshmi.

Në reagimin e tyre thuhet se deputetja Flora Brovina me këtë veprim ka shkelur parimin e dinjitetit të të mbijetuarave, përmes së cilës është zbuluar edhe trupi i të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

”Zonja Brovina ka shkelur Nenin 23 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton se dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Kjo fotografi ku gruaja dhunohet para familjarëve të saj, përveç që është shumë e rëndë dhe shqetësuese, mund të ndikojë edhe në përkeqësim të gjendjes emocionale dhe psiqike të të mbijetuarës”, thuhet në reagim.

Tutje RrGK ka theksuar se ky rast, mund të shërbejë si dekurajim për raportim nga të mbijetuarat e tjera të dhunës seksuale, si dhe të shërbejë si precedent i rrezikshëm se çka i pret të gjitha gratë dhe vajzat që raportojnë dhunën seksuale.

Andaj edhe u kanë bërë thirrje mediave që ta largojnë dhe të mos e shpërndajnë fotografinë e cila shkel dinjitetin e viktimës së mbrojtur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Mund të shërbejë vetëm si dëshmi para organeve të drejtësisë, mirëpo asnjëherë të qarkullojë në këtë mënyrë në publik. RrGK ju bën thirrje të gjithëve që të jenë të kujdesshëm, të ofrojnë mbështetjen e tyre ndaj të mbijetuarave, dhe të punojnë në ruajtjen e dinjitetit të tyre duke mos i ri traumatizuar ato dhe familjarët e tyre. Për 20 vite kanë qenë organizatat e grave ato që kanë ofruar mbështetje për këto gra e burra, derisa institucionet për 17 vite me radhë kanë qëndruar në heshtje.”, është thënë më tej.

Flora Brovina publikon foto të dhunimeve gjatë luftës në Kosovë

Rrjeti i Grave ka theksuar se deputetja Brovina nuk ka kontribuar në arritjen e drejtësisë përmes këtij veprimi si dhe ka kërkuar që deputetët e Kuvendit të Kosovës të kërkojnë llogari nga gjykatat, si ato vendore po ashtu edhe ato ndërkombëtare, për mungesën e reagimit institucional dhe trajtimin dinjitoz të rasteve të dhunimeve seksuale të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.