Banka Botërore paraqet të gjeturat e raportit për rritjen ekonomike më 2016 - Foto: KALLXO.com

Rritja Ekonomike, në Saje të Konsumit dhe Investimeve

Në raportin e rregullt ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor në vitin 2016 thuhet se rritja ekonomike e Kosovës ishte më e ulët se ajo që është regjistruar në vitin 2015 prej 4.1 për qind.

Banka Botërore (BB) e ka publikuar shifrën e rritjes ekonomike prej 3.6 për qind për vitin 2016, mirëpo gjatë ditës Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) e ka publikuar raportin për Bruto Produktin Vendor për tremujorin e fundit të vitit 2016, duke e ulur edhe më shumë rritjen ekonomike. ASK-ja thotë se rritja reale ekonomike në vitin 2016 ka qenë 3.4 për qind.

Krahasuar me rajonin, Kosova kishte rritjen më të madhe ekonomike më 2016. Shqipëria ka pasur rritje ekonomike prej 3.2 për qind në vitin 2016, Serbia dhe Bosnjë- Hercegovina kanë pasur rritje prej 2.8 për qind, Mali i Zi me 2.5 për qind, kurse rritjen më të vogël ekonomike për vitin 2016 e ka pasur Maqedonia me 2 për qind.

BB pret që edhe në vitin aktual rritja ekonomike të jetë nën 4%.

“Në vitin 2017 parashikohet rritje prej 3.9% nga investimet publike dhe konsumi”, thuhet në raport.

Po ashtu, në raportin e BB-së thuhet se në vitin 2016 ka pasur rënie të investimeve të huaja direkte, nga 5.4 për qind e GDP-së sa ishte në vitin 2015, në 4 për qind e GDP-së në vitin 2016.

Sa i përket deficitit fiskal raporti thotë se u zvogëlua në 1.3 për qind për shkak të rritjes së të hyrave dhe për shkak të nën-ekzekutimit të buxhetit kapital.

Kosova në krahasim me vendet e rajonit ka borxhin publik më të vogël, 14.6 për qind, por i cili konsiderohet se ka trend për rritje të shpejtë.

Derisa Mali i Zi ka borxhin më të madh publik 75 për qind, Serbia 74.6 për qind, Shqipëria 72 për qind, Maqedonia 50 për qind dhe Bosnje Hercegovina 41.5 për qind.

Gjithashtu, në raport vlerësohet se ka pasur rënie të kredive të këqija nga 6.2 për qind sa ishte në vitin 2015 në 4.9 për qind në vitin 2016.

Marco Mantovanelli, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, tha se po shohim rritje të shpejtë dhe të vazhdueshme në Kosovë.

“Kjo rritje po krijon vende të punës, por nuk kemi të dhëna specifike. Çka po mungon është konkurrenca e jashtme për të krijuar vende të punës për të rinjtë, të cilët Kosova i ka aset që të tjerët nuk i kanë”, tha Mantovanelli.

Ellen Goldstein, drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor përmes një video-lidhjeje nga Shkupi tha se prioritet i Ballkanit Perëndimore është rritja më e shpejtë ekonomike që të krijohen vende të reja pune sidomos për të rinjtë.

“Mesazhin e rëndësishëm që e kemi marrë përmes këtij raporti ekonomik është se me të vërtetë po shohim rritje të vazhdueshme në shtetet e Ballkanit Perëndimor”, nënvizoi Goldstein.

Sa i përket Kosovës ajo tha se ka rritje të vogël ekonomike por që është rritja më e shpejtë në Ballkanin Perëndimor.

Si rreziqe të jashtme dhe të brendshme kundrejt kësaj rritjeje ekonomike parashihen rritja e dobët strukturore e BE-së, paqartësitë pas Brexit-it, tensionet politike në Turqi, problemet politike në disa vende të Ballkanit Perëndimor, si dhe zgjedhjet e reja në disa vende të këtij rajoni.

Raporti i rregullt ekonomik mbulon zhvillimet, gjasat dhe politikat ekonomike në Kosovë dhe në pesë vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Hartohet dy herë në vit nga ekonomistët e Bankës Botërore që punojnë në vendet e rajonit.